Kryesia e Komitetit Mysliman të Shqipërisë është mbledhur ditën e sotme për të marrë në shqyrtim videon e shumëpërfolur ditët e fundit në media ku futbollistët e Kombëtares Andi Lila dhe Armando Sadiku së bashku me Imamin e Xhamisë së Kavajës Ahmed Kalaja, shfaqeshin duke treguar histori gazmore me priftërinj ortodoksë.
Video e cila krijoi probleme si në ambientin e këtushëm ashtu edhe në atë grek. Burime pranë “Opinion.al” bëjnë të ditur se ndaj Imamit Ahmed Kalaja, kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar ka marrë masën “Paralajmërim për dëbim nga puna” me motivacionin për shkelje të harmonisë fetare. Po sipas burimeve të “Opinion.al” Imam Kalaja nuk ka qenë i pranishëm në masën e dhënë gjatë mbledhjes së kryesisë së KMSH, ndërkohë që shkresa do ti shkojë në rrugë zyrtare me shkrim.
Në rast të përsëritjes së këtij veprimi mësohet se Imam Kalaja do të shkarkohet nga detyra që mban si Imam i Xhamisë së Kavajës. Vetëm Imam Kalaja ditë më parë ka kërkuar ndjesë për videon ndërkohë që Andi Lila ka pasur një takim sot me priftin e Janinës ku duket se janë sheshuar keqkuptimet.