Punimet në dy nga akset më të rëndësishme të korridorit të jugut në Shqipëri janë pezulluar prej 3 muajsh. Rruga që lidh Vlorën me Sarandën dhe Levanin me Vlorën, jo vetëm që nuk do të mund të përfundojnë gjatë stinës së verës, por me sa duket, pamjet e shkreta në këto kantiere do të duken për një kohë të gjatë.
Kompania Serenissima Construzioni ka dy muaj që ka bllokuar punimet dhe nuk kthen një përgjigje se kur do t’i përfundojë.
Kjo situatë ka shkaktuar probleme të mëdha edhe për banorët e kësaj zone, të cilët thonë se nuk mund të punojnë dot tokat bujqësore, pasi punimet e lëna në mes kanë bllokuar kanalet ujitëse.
Skandali me mbajtjen peng të dy veprave publike të domosdoshme për shqiptarët sa vjen dhe thellohet. Me 60 milionë euro fonde të marra nga buxheti i shtetit, për të përfunduar 22 kilometra për By Pass -in e Fierit, dhe 20 milionë të tjera për atë të Vlorës, kompania deri tani ka arritur që të shtrojë një pjesë të rrugës, duke nënkontraktuar firma shqiptare, të cilat denoncojnë se kanë 1 vit që nuk janë paguar për punën e bërë.
Kompanitë shprehen se pa u trembur nga urdhërat e gjykatës për të paguar, Serenissima ka shitur aksionet e saj në një tjetër firmë, e cila ka vijuar të lidhë kontrata me shoqëri të tjera, pa i paguar edhe ato.
Historia e mashtrimit me veprat publike dhe paratë e shqiptarëve prej kohësh nuk po arrin që të marrë një zgjidhje. Financimin për këto dy By Pass -e, Shqipëria e ka marrë përmes një kredie të butë nga BERZH dhe Banka Europiane e Investimeve.