Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka uruar sot bektashinjtë në mbarë botën me rastin e festës së Sulltan Novruzit, e cila në Shqipëri është festë zyrtare. Ai ka njoftuar se aktivitetet me rastin e kësaj dite do të zgjasin dhe ka ftuar besimtarët për të ndarë bashkë gëzimet dhe emocionet e këtyre veprimtarive.
“Të nderuar muhibe, dashamirës dhe miq të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane! Duke iu uruar fat e mbarësi në familjet tuaja, ju bëjmë me dije se festimet e Sulltan Novruzit këtë vit, kemi menduar t’i shtrijmë në kohë, përmes eventesh të ndryshme. Kështu, me 22 mars 2017, festimet nisin në orën 10.00, me koncert festiv, dorëzim dekoratash, celebrimi i liturgjisë së festës së Sulltan Novruzit dhe vizitave në Selinë e Shenjtë. Ndërsa, në oren 16:00 e në vazhdim do të kemi shfaqje të filmave nga veprimtari bektashiane. Duke iu ftuar të ndajmë së bashku, gëzimet dhe emocionet e ketyre veprimtarive,
Zoti iu bekoftë!”, thuhet në mesazhin e urimit të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Dita e Novruzit apo e quajtur ndryshe edhe dita e Sulltan Novruzit është ditëlindja e Imam Aliut në Qabe. “Novruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar.
Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirur drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian. Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.
Dita e Novruzit festohet edhe ne vende te tjera të botës myslimane.