Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka gjetur asnjë lek në llogaritë bankare të Klemend Balilit, kështu ka nisur hetim pasuror për familjarët e tij.
Në bazë të ligjt “Antimafia” ka nisur verfikimi për pjesëtarët e familjes. Sipas akuzës, janë 40 persona, pasuria e të cilëve do verifikohet. Organi i akuzës i ka dërguar shkresa Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe bankave të nivelit të dytë për të verifikuar pronësinë dhe llogaritë bankare. Po kështu informacion është kërkuar edhe pranë qendrës së kombëtare të bizneseve, për aktivitetet tragtare që këta individë kanë të rejgistruar në emër të tyre.
Ndërsa për Klemend Balilin i cilësuar si “Eskobari i Ballkani”, burimet nga prokuroria thonë se përgjigjet kanë ardhur nga të gjitha institucione dhe rezulton se nuk ka pasuri të regjistruar në emër të tij apo edhe llogari të majme bankare, raporton ABC News.
Balili rezulton se ka në emër të tij vetëm një banesë në fshatin Stjar të Delvinës dhe një llogari bankare, ku merrte rrogën si drejtor i Drejtorisë rajonale të Transportit në Sarandë.
Nga ana tjetër, Klemend Balili, prej dhjetorit të vitit të kaluar është shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.
Për dhënien e informacionit mbi vendndodhjen e tij, policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 50 milionë lekësh. Ndërkohë, sipas dosjes hetimore, Klemend Balili dyshohet se është një nga organizatorët e rrjetit të trafikut të drogës, që për dy vite ka trafikuar në të gjithë vendet e BE-së rreth 3.8 ton hashash dhe 84 kg kokainë.