Liberalët e qendrës së djathtë të kryeministrit Mark Rute, janë fituesit e zgjedhjeve parlamentare në Holandë, sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Exit Poll-et. Partia e shefit të qeverisë arriti të marrë 31 deputetë në parlamentin me 150 vende, duke lënë pas rivalët nacionalistë islamo-fobë të përfaqësuar nga Gert Uilders dhe kristian-demokratët të cilët morën përkatësisht nga 19 deputetë.
Stafi i kryeministrit e konsideroi fitoren si një tjetër shenjë besim të qytetarëve holandezë.
Nga ana tjetër nuk del kokulur Gert Uilders, i cili falënderoi ata që e votuan, duke thënë se fitorja e parë u arrit, me marrjen e 19 vendeve në parlament. Rute nuk më ka mundur, shkruan Uilders në Twitter.
Sipas Komisionit të Zgjedhjeve në Holandë, pjesëmarrja vlerësohet rreth 80%. Një shenjë e qartë kjo se holandezët i druheshin fort triumfit të forcës ekstreme, kësisoj rendën drejt kutive të votimit.
Të shumtë ishin ata analistë që i cilësonin këto zgjedhje si një moment kyç në Europën Perëndimore, përballë rritjes së ndjeshme të frymës ekstremiste në kontinent. Get Uilders erdhi me premtimin se do të ndalojë Kuranin, do të mbyllë xhamitë dhe do të nxjerrë Holandën nga Bashkimi Europian.
Plot 28 parti me 1.114 kandidate konkurruan për 150 vende në parlamentin holandez. Si pasojë e numrit të lartë të partive, qeveria do të krijohet nga koalicione post-zgjedhore. Të gjitha votat në Holande do të numërohen me dorë pas alarmit nga shërbimet sekrete se piratet rusë do të tentojnë të ndërhyjnë në zgjedhje./ TV KLAN