Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk lë rast pa përmendur batutën e fushatës se “kur kam qenë i ri kam shitur fiq tek Pazari i Ri”. Këtë e tha edhe sot teksa u kthye në këtë treg si trumfator si njeriu që i ndryshoi faqen. Të paktën kështu deklaroi ai vetë.
“Kur po vija këtu me kryeministrin bëmë shaka, i thashë ‘unë jam ai i fiqve dhe më takon të jem sot këtu’. Më vjen mirë që e bëmë Pazarin e Ri se nuk ishte vënë dorë që në kohën e Zogut”, u shpreh Kryetari i Bashkisë. Ai falenderoi edhe financuesin e projektit që është Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit. Ai falenderoi edhe zbatuesit e projektit, si inxhinierë dhe arkitektë, shkruan Opinion.al
Më pas Veliaj iu rikthye edhe një herë lavdërimeve për veten. “Sot në mëngjes jam zgjuar shumë mirë sepse gazeta prestigjioze ‘The Economist’ shkruante: Tirana po fluturon lart. Ashtu si në kohën e Edi Ramës, Tirana po transformohet. Por ‘The Economist’ shkruante edhe diçka tjetër. Thoshte se ka dy Shqipëri, ajo e sotmja dhe që punon dhe ajo e djeshmja, Shqipëria e gjumit dhe përçarjes. Ky treg është në formë çadre, por s’ka asnjë lidhje me atë çadrën që ka zënë Bulevardin sepse kjo është çadra ku do punësohen 1 mijë vetë, ajo është çadra e bllokimit të punës dhe reformave”, tha Kryetari i bashkisë së Tiranës, duke thumbuar edhe PD-në me rastin e Ditës së Verës…/Opinion.al