Nga Astrit PATOZI
Ka ende plot njerëz në Shqipëri që sot me të drejtë shtrojnë pyetjen se përse opozita i kërkon Edi Ramës një gjë që nuk e ka bërë vetë kur ishte në pushtet. Nuk kanë kaluar shumë, por vetëm 4 vjet, që kur Partia Socialiste atëherë në opozitë, hyri në zgjedhje dhe i fitoi ato me një qeveri të Sali Berishës. Përgjigja është shumë e thjeshtë, asgjë nuk mund të krahasohet me Shqipërinë e sotme. Në standarte, në garancitë e domosdoshme elektorale, por mbi të gjitha në mikroklimën politike, që praprin zgjedhjet, ku jo thjesht palët, por e gjithë shoqëria ngjan të jetë në konflikt të fortë. I cili, me shumë gjasë, pritet të shpërthejë dhe të përshkallëzohet, në rast se zgjedhjet do të dështojnë. Dhe për këtë nuk nevojë të jesh profet.
Kur them këtë nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë e 2013-s, por të gjithë kohën e tranzicionit, që nga vendosja e pluralizmit, madje duke përfshirë këtu edhe vitin e mbrapshtë 1997. Sepse për fatin tonë të keq ne kemi pasur një histori jo fort të lavdishme me zgjedhjet. Kemi pasur zgjedhje të këqija dhe shumë të këqija, por edhe procese elektorale normale, pa probleme të rënda dhe me rotacion normal pushteti. Por tek ato më problematiket, nuk i gjen dot kaq të strukturuara dhe në një masë kaq të frikshme të gjithë elementet e asgjësimit të një procesi elektoral normal, sepse termi “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, që ne përdorim, është fjalë e madhe për mua. Nuk e teproj po të them se nuk pres që ta përmbushim këtë detyrim edhe sikur Edi Rama të japë sot dorëheqjen për t’i hapur rrugën një qeverie tranzitore, por gjithësesi do të isha i lumtur edhe me zgjedhje mesatare, sepse aq e rëndë është gjendja në terren.
Në votimet e vitit 1997 Partia Demokratike mori pjesë, ndonëse nuk pati mundësi as të bëjë fushatë në më shumë se 30 përqind të territorit të vendit dhe rezultatin e kontensoi fort politikisht, por e njohu juridikisht. Jo thjesht se pranoi përgjegjësinë e saj për sa kishte ndodhur me rënien e firmave piramidale, por edhe për shkak se me gjithë inkurajimin politik që vinte nga e majta, shumë banda dhe njerëz të armatosur ishin asokohe realisht jashtë kontrollit? Ndaj edhe për krimet, dhunën dhe reagimin e tyre, edhe pse me kryeministër socialist, nuk mund të akuzohej drejtpërdrejt qeveria.
Kurse sot, Edi Rama dhe administrata e tij fajësohet, aspak vetëm prej nesh, se, jo vetëm e inkurajon krimin e organizuar të vendit, por po e udhëheq vetë atë drejt një masakre të pashembullt elektorale. Pra në rast se në vitin 1997 kishim jashtë kontrollit qytetarët dhe qeverinë e pafuqishme, sot kemi jashtë kontrollit qeverinë, dhe qytetarët e pafuqishëm. Ndaj për Shqipërinë e sotme ka vend vend fiks ajo shprehja legjendare “ishim më mirë, kur ishim më keq”.
Natyrisht, duhet të jemi realistë për të pranuar që ky është një debat jo i lehtë për të fituar, pavarësisht se argumentet që mbështeësin kauzën e drejtë të opozitës janë të panumërta. Megjithë bonuset që mund të vijnë nga kllounada si ajo e cadrave, ku firmoset “dashuria” e shqiptarëve për vetingun, mund të ketë ende shumë shtresa të shoqërisë, që mund të dyshojnë tek diferencat e forta që kanë palët në trajtimin e krizës për zgjedhjet. Këtë hezitim e ndihmon shumë edhe presioni i pazakontë i qeverisë mbi cdo faktor me peshë në këtë vend, sidomos ai mbi mediat, por edhe cfokusimi i frymës së protestës nga kryetema e kauzës së opozitës, që janë zgjedhjet e lira.
Ka plot njerëz, ndoshta jo vetëm të majtë apo rilindas, që jo pa të drejtë pyesin sot se në cilin nen të kushtetutës apo të ndonjë ligji tjetër është e shkruar që Shqipërisë të ketë qeveri teknike para zgjedhjeve, sa herë këtë e kërkon opozita. Përgjigja është e thjeshtë, nuk ka asnjë nen dhe asnjë ligj në Shqipëri që të mbështesë pretendimin e koalicionit të sotëm opozitar. Por a mbaron këtu?
Pyetja jonë është në cilin nen të kushtetutës apo në cilin ligj është e shkruar që qeveria e Shqipërisë ta lëshojë gati të gjithë territorin e vendit në përdorim për mafian e drogës? Dhe në cilin vend të botës gati cereku i parlamentit rezulton i kriminalizuar, saqë deputetët detyrohen të miratojnë ligjin më të vecantë dhe më poshtëruesin në botë? Por edhe pasi ligji miratohet, vetë kryeministri bën cdo gjë mbi tokë që të gjithë cubat e prekur të largohen me faqe të bardhë, gati për t’u përfshirë sërish në garën e ardhshme elektorale, në mos vetë, me bedelë, që do t’i caktojnë po ata. Duke e bërë më të dhimbshme për qytetarët ikjen e tyre nga politika, pasi nëse dje duhet të duronin vetëm Armando Prengën, tani duhet të mbajnë mbi kurriz edhe atë që do të caktojë ai, se Armandon aty e kanë prapë.
Në cilin nen apo ligj parashikohet që një qeveri të vijojë grabisë tendera dhe koncesione deri në fund, madje të përgatisë edhe zgjedhjet, ndonëse disa ministra të saj kanë frikë se ajo do t’u vjedhë votat me polici dhe me banda? Dhe këtë frikë nuk e kanë shprehur me gratë në shtëpi dhe as në kafene me miqtë, por publikisht dhe pa asnjë ekuivok. Po a mund të cmendet opozita në atë masë që të besojë se do të zhvillojë zgjedhje të mira një qeveri, të cilës i tremben edhe ministrat e vet?
Ne cilin vend të botës ndodh që në prag të fushatës elektorale të lirohen të gjithë bandat më të rrezikshme, dhe kryeministri që nuk lë rast pa mallkuar prokurorë dhe gjykatë për vendime pronash apo padi civile, nuk flet asnjë fjalë?
Por më thellë akoma, në cilin vit ka ndodhur që reforma zgjedhore të hidhet në kosh si këtë radhë, që do të thotë se qevera nuk është e gatshme as të zotohet se mund të zhvillojë zgjedhje të mira, le më t’i bëjë ato vërtet?
Ka zëra të vecuar që na përmendin votat në parlament, që na ftonin të ndiqnim shembullin e Europës, edhe kur ne kërkonim me të drejtë votimin elektronik, madje na përmendin se në shumë vende zgjedhjet i organizon ministria e Brendshme, ndaj nuk kemi pse ankohemi. Po puna është se në këtë vend për shkak të kësaj qeverie, për gjithë sa u tha më lart, ministri i Brendshëm është i dyshuari kryesor, ndaj edhe Edi Rama duhet të largohet bashkë me kabinetin e tij, për ti hapur rrugën një arbitri të besueshëm.
Sepse kjo qeveri ka humbur gradualisht cdo legjitimitet për të organizuar zgjedhjet, duke shkelur cdo ligj dhe parim, por mbi të gjitha kontratën me shoqërinë e këtij vendi, që beson ende tek një Shqipëri normale. Dhe kjo nuk është një llogari që e ka vetëm me Partinë Demokratike. Do të ishte shumë pak dhe gjysma e së keqes po të kishte qenë ashtu.
Ndaj askush nuk mund t’i kërkojë sot opozitës politesë dhe etikë me një qeveri që ka marrë pushkët në krah për të vrarë zgjedhjet, sepse nuk qenka e shkruar asgjëkundi fjala qeveri teknike. Do të ishte njësoj si dikujt, që pasi e kanë përdhunuar, t’i kërkohet, të mos përdorë epitete të papërshtashme ndaj përdhunuesit në gjyq. Historia bëhet, pastaj shkruhet. Kështu ka ndodhur gjithmonë.