Mendimet e saj ishin si qukat në lëkurë, sa herë që ajo vizitonte atë qytet. Fillonte me të nxehtin e ditës që lodhte edhe pluhurin përreth dhe përfundonte me netët e Jazz-it. Ky qytet ishte si një rrjet kuantik në trupin e saj që ishte papushim në lëvizje. Forma e tij ndryshonte sa herë që ajo e vizitonte. Ajo ishte e njëanshme në çdo rrugë që mori, pa pushim, në mënyrë të përsëritur si në robëri. Ky qytet kishte një efekt të çuditshëm tek ajo, pothuajse një koktejl bukurie dhe shëmtie, një fushëbetejë mes groteskes dhe thjeshtësisë.
Nuk e vizitonte zakonisht atë vend. Çdo herë që ata përballeshin me njëri-tjetrin dukej sikur udhëtonin në drejtime të kundërta. Ajo u plak dhe qyteti u rinua. Edhe pse ajo argumentonte se mentalisht ishte më e qëndrueshme. Qyteti vazhdimisht ka reklamuar veten sikur ka vajzat më të bukura, kafen më të mirë, dhe thashethemet më të imagjinueshme që i quanin “terapeutike”. Gjithashtu kishte një problem me energjinë elektrike pasi lidhja vinte dhe ikje kur kishte qejf, edhe pse çuditërisht lidhjet e internetit kishin pushtuar gjithë qytetin. Shtëpitë në ndërtime sipër ishin të shpërndara kudo, nga të dyja anët e rrugës. Jeshillëku mezi dukej vërdallë, si jetimë, jo aq i fuqishëm sa pisllëku. Nuk ishte dhe aq pamja që e impresiononte, sesi era që vinte. Ishte një erë e veçantë që ngacmonte kujtesën e saj dhe ishte ajo era e çuditshme. Ky qytet mbante erë si qumësht i djegur.
Grupe vajzash ishin të shpërndara nëpër qytet, ndiheshin të pakujdesshme, si personazhe thashethemesh nëntokësore. I rastisi të rinte një natë më një grup të tillë vajzash. Edhe pse i njihte shumë pak, u ndie në mënyrë spontane e mirëpritur. Feminiteti ishte një komponent i detyrueshëm, ndërsa ndjeshmëria delikate është ndier herë pas herë gjatë bisedës së pacensuruar. Qëndrimi rebel ishte prezent në kohën kur trazonin koktejin me pije të buta.
Ajo për vetë nuk pinte. Mendja e saj gjatë gjithë mbrëmjes grumbullonte moment pas momenti ngjarje vizuale. Papritmas, kujtimi nga dashuria e saj e parë u bë e tashme. Duhet të ketë qënë diçka e pandërgjegjshme që ngacmoi mendimet e saj, dhe asaj i pëlqente kjo ndjesi. Mendja e saj i kujtoi momente kur që ajo mendonte se i kishte harruar plotësisht. Koha ishte kalimtare, si ajo, u largua për të mos u kthyer më kurrë. Do ishte e pamundur për të të ndihej ndryshe, megjithatë ajo ende besonte si atëherë, që dashuria ia vlente më shumë sesa vëmendja e kujtdo. Në mendjen e saj, ai ishte i ulur para saj. Ajo kujtonte të njëjtat karakteristika si të ishin lënë më bujari të paprekura ndër vite. Kjo ishte mbetje e kujtesës së saj afatgjatë. Nuk kishte nostalgji, por kujtimet ishin të mjaftueshme për të kënaqur vrullin e saj.
Çfarë e tërheq apo rebelon një person shumë vite më pas, edhe pse në mungesë?- pyeti ajo rastësisht.
Vetëm kujtimet, ose vetëm perceptimet e kultivuara. Ndoshta ishte sofistikimi i gjuhës që shkaktoi fluturimin e mendjes së saj diku tjetër. Mendimet e saj filluar të bëheshin erotike, jo aq seksuale por më tepër estetike. Ajo e quajti një orgazëm intelektuale që të kënaqte po aq sa një gjëegjëzë që të lë pa fjalë. Mendimet e saj kënaqën imagjinatën. Nga mesnata ajo ndjeu të kishte kujtime të rehatshme nga koha kur ishte me njerëz të tjerë përreth, ndërkohë që mendimet ishin ngjitur si qukat në lëkurën e saj.
Nga Fatjona Lubonja