Pas arrestimit të dy “kokave” të një grupi kriminal në Shkodër nga forcat RENEA, policia e Shkodrës ka vendosur nën pranga edhe katër persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtor dhe anëtarë të grupit.
Grupi kriminal ishte kthyer në makth për biznesmenët e qytetit, madje veprimtarinë e tyre gjobvënëse e kishin shtrirë edhe në kryeqytet.
Bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal që operonte prej një viti në Shkodër. Ky grup gjobiste tregtarët e Tregut të Zdrales, të Rrugës së Gjerë të Kirasit, etj. Përmes kërcënimeve, ata mundën tu merrnin tregtarëve kuota mujore.
“Nga hetimi rezultoi se drejtuesit e këtij grupi kriminal angazhonin anëtarët e tjerë të grupit që, në çdo fund muaji të merrnin nga çdo tregtar në tregjet e sipërpërmendura shumat nga 1 000 lekë deri në 3 000 lekë (të rinj). Numri i tregtarëve që kanë qenë të detyruar të paguajnë këto shuma “mujore” është tepër i lartë”, thotë prokuroria.
Ky grup ka qenë aktiv, të paktën që nga Tetori 2016, kohë kur është regjistruar procedimi penal kundër tyre. Fillimisht ata kanë larguar me forcë nga ky aktivitet kriminal një tjetër grup, gjithnjë nëpërmjet dhunës dhe kërcënimit dhe më pas ka operuar vetë duke detyruar tregtarët që të paguanin “taksën mujore”.
Anëtarët e grupit kishin për detyrë që të zbatonin urdhërat e drejtuesve të grupit, si edhe të raportonin mbi lëvizjet e punonjësve të policisë në zonën e influencës së tyre, apo dhe për persona të panjohur, automjete që janë pranë tyre apo deportojnë në zonën ku ata banojnë dhe ushtrojne “aktivitet”. Njëkohësisht këta shtetas, në ditët e fundit të çdo muaji, kalojnë në lokalet, apo dyqanet, në tregun Zdrale Shkodër duke mbledhur lekët, duke raportuar dhe dorëzuar lekët e mbledhura tek drejtuesit e grupit.
Organizatorët e grupit kriminal, pasi u jepnin porositë anëtarëve të Grupit, i dërgonin me makinë në zonën e tregut dhe këta takoheshin me çdo tregtar dhe i merrnin shumat, madje duke mbajtur dhe bllok ku shënoheshin personat që paguanin. Ky aktivitet kriminal është provuar se është shtrirë në kohë nga muaji tetor 2016 deri në muajin shkurt 2017.
Në bazë të hetimit të deritanishëm, gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për disa persona. Disa prej urdhër-arresteve janë ekzekutuar nga policia.