I pyetur nga drejtuesi i emision Opinion, Blendi Fevziu, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga protesta para kryeministrisë ka sqaruar arsyet se pse Federica Mogherini gjatë vizitës së saj në Shqipëri nuk do të takohet personalisht me të.
Sipas Bashës lajmi i shpërndarë ditët e fundit për një “izolim” të opozitës nga ndërkombëtarët është një mashtrim i shpërndarë nga qarqet qeveritare dhe mediat afër tyre që po fabrikojnë këto lajme.
“Pjesë e agjendës së saj do të jetë një takim me përfaqësues të partive politike, pjese e takimit do të jetë edhe përfaqësuesi i PD”- shprehet Basha duke thënë se ky është formati i zgjedhur nga Mogherini.
“E rëndësishme është ajo që do i thuhet asaj. Do i thuhet që pacienti ka kollë të lehtë dhe do shurup apo që ka kancer dhe do shtruar me urgjencë”- vijon Basha.
“Unë e kam takuar zonjën Mogherin dhe do e takoj sërish si kryeministër i Shqipërisë”- përfundon ai./ opinion.al