Ramush Haradinaj, pritet të dalë sot para gjykatës franceze në Colmar. Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.
Por, gjykata franceze, në seancën e mbajtur më 9 shkurt, nuk vendosi përfundimisht për këtë rast, duke e lënë Haradinajn nën masën e lirimit me kusht dhe duke e shtyrë vendimin për datën 2 mars.
Ndalimin e tij në Francë, Haradinaj e ka cilësuar si mbajtje peng, që vjen si pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.
I bindur se do të shpallet i vendimi për lirimin e tij, Haradinaj ka thënë se në Kosovë e presin shumë punë.
“Nuk e kemi mirë gjendjen me qeverisjen, me rendin e ligjin dhe me shumë aspekte të jetës dhe unë besoj se kemi shumë punë”, ka theksuar Haradinaj.
Edhe avokati i tij, Arianit Koci ka shprehur bindjen e tij se Haradinaj do të lirohet, më 2 mars.
Ndërkaq, ekspertë të çështjeve penale, kanë deklaruar se ka ende gjasa që procesi të zvarritet, për shkak se organet kompetente të drejtësisë në Francë, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave që Serbia i ka deponuar për këtë rast. /REL