Klodjan Hysa 35 vjec u qëllua me plumb në kokë nga policia italiane mbrëmjen e së premtes në komunën Monte San Giusto. I shoqëruar nga e fejuara e të birit, babai i Klodjan Hysa ka identifikuar djalin dhe është informuar nga trupi mjekësor mbi gjëndjen e tij shëndetësore.
35- vjeçari Klodjan Hysa ndodhet në gjendje kome të thellë e klinikisht i vdekur. Praktika mjekësore kërkon që çdo 24 orë t’i nënshtrohet një ekzaminimi encefalografik e nëse nuk verifikohet asnjë aktivitet jetësor në trupin e tij, mund të deklarohet vdekja celebrale.
Sipas policisë italiane Klodjan Hysa ishte pa leje qëndrimi të rregullt në Itali, i papunë e i përfshirë në disa grabitje. Në territorin italian ai kishte përdorur identitete të ndryshme.
Patrulla e policisë italiane e ka qëlluar ndërsa po tentonte të largohej me një automjet të vjedhur tip Fiat Punto, pasi së bashku me dy miq të tiju kishte grabitur një apartament në komunën Monte San Giusto.
Polici italian që e qëlloi me plumb në kokë ka deklaruar se pistoleta është shkrehur pa dashje në momentin që shqiptari po përpiqej ta përplaste me makinë, në tentativën për t’iu shmangur postobllokut të policisë.
Policia është vënë nën hetim nga prokuroria italiane.