Nga Desada METAJ
KQZ ka rrëzuar sot kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandatit deputetit Armando Prenga. Me arsyetimin se nuk ka material mjaftueshëm për heqjen e mandatit dhe duke kërkuar informacione dhe të dhëna shtesë,kryetari i KQZ Denar Biba e shpalli të “pafajshëm” deputetin socialist që akuzohet për disa vepra penale si vjedhje,falsifikime dokumentash apo identitet të rremë. Asnjë nga materialet e prokurorisë së përgjithshme nuk i mbushi dot mendjen 4 anëtarëve të KQZ,përfaqsues të mazhorancës që të votonin pro heqjes së mandatit. Madje as dokumentat e policisë italiane të botuara në shtypin shqiptar ku Armando Prenga rezultonte me të paktën 4 identitete të ndryshme nuk i bënë këta nëpunës të institucionit më të lartë zgjedhor që të mendoheshin dy herë nëse ky zotëri mbi të cilin ka cështje penale në Shqipëri dhe në Europë duhet të jetë sërish pjesë e parlamentit. Thënë me thjesht,KQZ kërkoi informacione shtesë ndërsa nuk mori parasysh vendimin e dhënë nga Gjykata e Kurbinit.
Nëse Armando Prenga është sot i lirë padyshim kjo është për shkak të imunitetit që ai ka si politikan,si deputet,si një ish person me preçedentë penalë që sot shëtit i pashqetësuar dhe pse pak muaj më parë u akuzua se qëlloi me armë pa leje në konflikt pronësie në lagunën e Patokut. Nëse askush nuk ka dëgjuar të flasë në parlament prapë nuk është për t’u çuditur sepse emri i tij është bërë publik vetëm për përplasjet deri fizike me deputetët e opozitës. Por Armando Prenga nuk është fajtor për këtë,sepse edhe në ëndrrat më të guximshme ai nuk do e kishte parë veten pjesë të politikës nëse Edi Rama nuk do kishte nevojë të plotësonte votat që do e sillnin në pushtet. Prenga bashkë me ata që janë larguar dhe priten të largohen nga parlamenti apo drejtimi i bashkive janë ende pjese e vendimarrjes politike sepse politikanët që i zgjodhën janë peng i tyre,një pjesë e medias është palë ose ka frikë ndërsa ndërkombëtarët,ata që flasin kaq shpesh për çdo gjë që ndodh më këtë vend,në këtë rast heshtin.
Pikërisht këta të fundit,kaq shumë prezent në jetën politike të Shqipërisë bëhen të pazëshëm kur vendime të tilla si ai i KQZ sot rrezikojnë më shumë se çdo akt politik lirinë dhe demokracinë. A mund t’u shpjegosh sot një shqiptari të zakonshëm terminologjinë “vetting”, “onm” apo ndonjë akronim tjetër juridik kur Elvis Ervin apo kush e di si e ka emrin vijon të firmosë si kryetar bashkie? Kur në parlament konsiderohet luks të jesh dënuar për korrupsion apo vjedhje sepse në karrigen ngjitur mund të kesh trafikantë nga ata që përshkruajnë reportazhet e mediave të huaja.
Qysh në fillim të gjithe e kishin të qartë se ky proçes,dekriminalizimi,pastrimi i politikës nga të inkriminuarit do të ishte i vështirë pikërisht për arsyen e thjeshtë se asnjë nga ata që kanë mbetur jashtë apo pritet të dalin nga sistemi nuk hynë rastesisht aty. Dikush i përzgjodhi me kujdes dhe kur 1 milion shuplakat e sollën ne pushtet padyshim që “votësjellësit” nuk mund të largoheshin me dëshirë,ata u bënë pjesë e qeverisjes dhe e vendimarrjes politike. “Të fortët” e parlamentit dhe të bashkive tashmë e kanë të vështirë ta shohin veten jashtë edhe pse ai që i zgjodhi ndoshta nuk i do më përqark. Por rregullat e rrugës janë të vështira për t’u mësuar nga një artist si Edi Rama,që duket si i zënë në çark nga preçedentët penalë e të përzgjedhurve të tij. Që më shumë se vite shkollë kanë dëshmi penaliteti dhe që vërtet mund të harrojnë emrin e vërtetë me të cilin janë regjistruar kur kanë lindur,por kurrsesi emrin me të cilin rilindën si politikanë me imunitet dhe bashkëpuntorë të kryeministrit./ Opinion.al