Dashamir Shehi, kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar në një intervistë për emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga në Report Tv ka komentuar zhvillimin që do të ketë protesta që opozita organizon nesër.
Kreu i LZHK deklaroi se opozita duhet të vijë në pushtet pasi është e keqja më e vogël përballë një qeverie arrogante e Ramës.
Sipas Shehit kjo do të jetë protesta më e madhe dhe më paqësore që opozita ka ndërmarrë në këto 4 vite.
Shehi theksoi se opozita lufton për një nga bazat e demokracisë që është numërimi i votës, ndaj këta muaj do të jenë muaj protestash.
Një strategji ku dihet ora e nisjes por jo e përfundimit, keni informacion shtesë?
E para e punës është se do të jetë një protestë e madhe. Më e madhja e opozitës për këto 4 vite. E dyta, do të jetë më paqësorja nga të gjitha. Sinjali është i qartë, ne si opozitë nuk ngasim asnjë nga ata gjethet që ka mbjellë Rama përreth kryeministrisë. Kush pret protestë të dhunshme do zhgënjehet. Do jetë më e madhja që ka qenë ndonjëherë dhe më paqësorja.
Po më e gjata?
Jo për këtë nuk është as menduar, as folur. Vetë niveli i protestës do ta tregojë se si do të jetë mënyra. E rëndësishme është kjo, që ne nuk hymë në zgjedhje nëse nuk ka votim elektronik ose të ndryshojë qeveria. Qeveria ka 2 zgjedhje, ose të iki vetë dhe të lërë një qeveri teknike ose të bëjë votimin elektronik.
Si do të jetë e organizuar protesta, do të ketë fjalime nga ju liderët e opozitës?
Mendoj se populli është lodhur me ne, mjafton të flasë Basha. Do flasin mjekët e Tiranës. Arkitekt e Tiranës, gratë e Tiranës. Do dalin studentët që janë të pakënaqur më arsimin. Do flasin të pakënaqurit e Tiranës. Unë po them mendimin tim, dhe mendoj se jam një nga fytyrat më të mira opozitare dhe gjykoj që edhe me mua janë lodhur qytetarët.
Një qytetar më tha që jam dakord me protestën por është pavend që protesta është të shtunën dhe të dielën janë zgjedhjet, duke nënkuptuar se zgjedhjet janë shumë afër për të pasur protesta tani…
Do i thoja që nga e shtuna në të dielën shqiptare ndodhin shumë gjëra. Nga e shtuna deri të dielën e 18 qershorit do të rrjedhë shumë ujë te Lana.
Çfarë do të rrjedhë?
4 muaj janë shumë për historinë politike të Shqipërisë, por megjithatë nga kjo e shtunë deri në të dielën e 18 qershorit do të bëjmë edhe 10 protesta. Janë zgjedhjet, opozita nuk do bëjë poezi, por do bëjë presion dhe protesta sepse zgjedhjet janë në rrezik.
Këndvështrimi i qytetarit ishte se duke qenë vit elektoral ju mund ta përmbysni qeverinë me votë, jo me protesta…
Protesta është një formë e demokracisë. Muajin e fundit në Paris janë bërë 11 protesta, pse qenka krim të bëhen protesta edhe këtu? Shqipëria është kjo që është, injorante, fshatare sepse nuk ka kurajo të bëjë protestë.
A do të jetë Berisha nesër në protestë?
Nuk e di. Sot në tryezën e kryetarëve nuk ishte Berisha, nuk e kam parë asnjëherë në takimet e partisë dhe gjykoj se nuk ka nevojë të jetë sepse kryetari është Basha. Ndërsa në protestë Berisha duhet të jetë por nuk mendoj se duhet të flasë, megjithatë një gjë të tillë e vendos Basha. Mendoj se ne kemi nevojë për Zotin Basha si alternativë, Berisha ka vendin e vet në historinë e PD dhe të Shqipërisë, por këtu jemi në një situatë aktuale që e administron zoti Basha.
Cilat ishin qëndrimet se ç’do bëhet pas protestave?
Disa mendojnë të rrinë aty, disa jo. Disa mendojnë si unë që të bëjmë protesta të tjera. Nesër do jetë protestë masive ndaj ne duhet t’i përsërisim, jo të qëndrojnë pa ndërprere aty.
Shumë liderë të opozitës e kanë krahasuar protestën me atë që ndodhi në Rumani, ju si e shikoni?
Në disa aspekte po ndërsa në aspekte të tjera jo. Ajo demokraci e vogël që ka Rumania është shumë përpara nesh. Ata e kanë kufizuar te korrupsioni sepse fatmirësisht për ata, atje nuk vidhen votat. Te ne vidhen votat, ky është halli ynë më i madh. Qëllimi ynë është të rindërtojmë besimin e shqiptarëve për votën. Për të bërë demokraci minimalisht duhet të numërohen votat.
Me shumë gjasa nesër do të jenë në protestë shumë politikanë që kanë përgjegjësi për shkatërrimin e votës, si Berisha, është kosto për opozitën kjo?
Unë gjykoj se zoti Basha është i mjaftueshëm për opozitën, nuk ka nevojë për liderë të tjerë. Unë kam 20 vjet në opozitë, ne shkojmë prapë dhe protestojmë kundër qeverisë që është sot sepse mendoj se Shqipëria ka nevojë për opozitarë, nuk është puna se nuk di të bëj punët e shtetit. Këta që janë sot ishin studentët e dhe nëpunësit e mi, ajo që mund të bëj sot më mirë është opozita. Do ta bëj deri në fund ndershmërisht sepse punët e Shqipërisë po shkojnë keq.
E ka kuptuar Basha në raport me Berishën se është lider i mjaftueshëm?
Besoj se po. Zoti Basha na jep edhe një shpresë që vjen nga mosha e tij, nga mentaliteti dhe nga edukimi në një shkollë perëndimore që unë për shembull s’e kam bërë. Unë si mendjemadh i vogël që jam nuk kam menduar se Basha është më i mirë se unë por ai ka bërë shkollë më të mirë se unë.
Ku ndryshon Basha me Berishën?
Basha ka mbaruar shkollë në Holandë, Berisha ka mbaruar këtu si puna ime. Basha është 42 vjeç, Berisha 72 vjeç, nëse këto nuk ju duken diferenca… Basha ka lindur në mes të Tiranës, Berisha ka lindur në një fshat. Besoj se janë diferenca. Nuk them se Basha është më i zoti se Berisha, ai e ka bërë të veten, ka hyrë në historinë e Shqipërisë, unë s’kam hyrë dot, Berishën e gjykon historia me të mirat dhe të këqijat, më shuam nuk mund te arrijë. Berisha nuk na jep më shpresë për të nesërmen sepse i përket të shkuarës dhe e mbylli historinë me një humbje, ndërsa Basha na jep shpresë. A është Basha kaq i zoti sa Berisha edhe këtë e gjykon historia.
E gjykon 18 qershori?
Unë gjykoj se Berisha ka qenë më i zoti dhe më i suksesshëm se Basha. Nga pikëpamja e zgjedhjeve. Për zotësi Berisha është më i zoti se Basha por nëse flasim për emancipim politik historia i takon Bashës.
A do të arrijë Basha ta çojë të djathtën në fitore?
Për të fituar e djathta nuk mjafton Basha, duhen shumë Basha të tjerë. Edhe nëse duhen shumë Basha është shenjë demokracie. Dikur mjaftonte një Berishë.
Kush janë këta të tjerët?
Unë e gjykoj se Basha është një lider i mjaftueshëm, i kulturuar, i edukuar dhe një qytetar i mirë që ka defektet e veta. Por kjo është e shëndetshme për politikën, që po vjen një njeri që është normal si gjithë të tjerët që ka mangësitë e veta.
Kjo mazhorancë me këtë përbërje, PS, LSI, PDIU, numerikisht është më mirë se e djathta, si vjen ne pushtet opozita apo duhet të shpresojë te përçarja e së majtës?
Për Shqipërinë nuk është e rëndësishme nëse vjen e majta apo e djathta, duhet të vijë diçka që të rregullojë Shqipërinë. Me këto që ka bërë mazhoranca duhet të vijë një forcë tjetër, duhet të vijë opozita që është më pak e keqe se arroganca e mazhorancës.
Ky motiv është i mjaftueshëm për të dalë i pari në stacion?
Politikisht mjafton Basha për të dhënë ide dhe më pas duhet të jenë qytetarët, sose qytetari është i pakënaquri, më kanë inat kolegët e mi se duan të flasin. Nëse nuk më duan qytetarët e mi iki nga politika.
Ju jeni iniciator që në PD të mos përfshiheni as ju?
Unë marr vota që nuk i merr PD në Tiranë, të disidentëve më të vjetër. Unë them kush ka qenë një ditë ministër i Ps, deputet i PS apo i Partisë Komuniste s’duhet të ketë punë me PD.
E keni hedhur ju idenë që aleatët të mos përfshihen në listat e PD, ndërkohë a e keni këshilluar Bashën se ka një ide se opozita shpreson në përçarje të PS-LSI?
Unë shpresoj që do ndodhë përçarja sepse ne jemi opozitarë dhe do shfrytëzojmë çdo mjet për të arritur suksesin tonë, por unë them që nuk është detyra jonë kryesore kjo, ne duhet të bëjmë detyrën tonë. Nëse shqiptarët ata që janë më të mençur, më të qetë dhe më të lirë për të votuar do të votojnë ne, kjo na intereson.
Nëse opozita nuk i fiton zgjedhjet çfarë do të thotë për ju?
Jam i sigurtë se ne i fitojmë, por edhe nëse nuk fitohen duhet të shohim se çfarë do të kemi në raport me sot. Shqipëria nuk rrënohet me 18 qershor, zgjedhjet bëhen që të bëhet Shqipëria më e mirë. Një votim është pjesë e kësaj historie demokracie që kemi filluar me 1000 probleme, shumë e re sepse jemi një komb që pretendojmë se kemi 3000 vjet në Ballkan ndërsa kemi vetëm 20 vjet demokraci. Vetëm horrat, maskarenjtë dhe hajdutët mendojnë se nëse nuk janë ata ka ndodhur një hata e madhe.
A do ishte për Lulzim Bashën problematike mbajtja e opozitës nëse humb zgjedhjet?
Jo Basha, është i ri dhe ka pasur fatin që të ketë një karrierë politike. Basha ka një problem se është menduar deri sot se është benjamini i Berishës edhe pse deri diku e ka bërë Berisha. Basha tani duhet të thotë faleminderit që ke bërë por duhet të ecë përpara dhe të qëndrojë edhe vetë. Kjo është sfida e Bashës. Është dita që Basha të tregojë siç po e tregon çdo ditë se është i zoti.