Ditën e sotme, Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kanë raportuar në Komisionin e Medias për ndërtimet te “Veliera”.
Në fjalën e tij, Dako tha se në zonën ku janë gjetur rrenoja arkeologjike po punohet vetëm nga ana e arkeologëve dhe jo nga firma ndërtuese.
Pikërisht në këtë moment të fjalës së kreut të Bashkisë Durrës, ka ndërhyrë aktivisti Aulon Kalaja, i cili, ka bërë me dije se Bashkia e Durrësit është e papërgjegjshme në lidhje me faktin në fjalë dhe me nota të theksuara ironie ka pyetur Dakon se ku e merr rrogën ti, në Beograd?
Dako i është kundërpërgjigjur duke i thënë se ti je spekulant i ri.
Ndërkohë, Kalaja, i ka thënë që ju po asgjesoni identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.
Sipas Dakos, projekti “Veliera” do të tërheqë mijëra turistë pasi do të jetë një objekt origjinal e i vizitueshëm që do t’i japë Durrësit një imazh të vërtetë të një qyteti turistik.
Projekti është përgatitur nga studio e arkitekturës shqiptare ERALD -G + ARKONSTUDIO dhe një studio të njohur arkitekture nga Italia, ARCHEA. Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Vlera e të gjithë këtij projekti do të jetë rreth 6 milionë dollarë.
Sipas kryebashkiakut, ky investim është nga më të rëndësishmit, sepse do të sjellë edhe zhvillim ekonomik, pasi është i lidhur me të gjithë investimet e tjera të shesheve që zhvillon pronën përgjatë gjithë këtyre akseve. Dako tha gjithashtu se vitin e ardhshëm do të fillojë edhe një tjetër investim madhor, ai i pallatit të drejtësisë.