Prej 4 ditës tre minatorët kinezë të bllokuar nga shpërthimi i gazit metan dhe hidrogjenit në thellësitë e kompleksit minerar të Bulqizës rezultojnë të zhdukur. Grupet e shpëtimit nuk kanë arritur të depërtojnë në zonën e njohur si niveli 21, i cili gjendet në rreth 1,500 metra nën nivelin e tokës.
Nga shpërthimi i ditës së shtunë 3 minatorë dolën të plagosur nga galeritë, ndër 3 të tjerë ende nuk janë gjetur.
Minatorët janë punonjës të kompanisë kineze Wenzhou Mining Co Ltd, e cila është kontraktuar nga koncesionari shqiptar Albania Chrome, për punimet në një objekt të njohur si pusi nr. 9. Synimi i pusit është të lidhë nivelin 16 me nivelin 21 të minierës, për të bërë të shfrytëzueshëm një sasi minerali kromi në thellësi të mëdha, investim që sugjeron se do t’i shtojë jetëgjatësinë e shfrytëzimit të këtij burimi minerar.
Por tre shpërthime të mesditës së të shtunës raportohet se kanë shkaktuar dëmtime të strukturës së minierës, gjë që po pengon grupet e shpëtimit të mbërrijnë te thellësitë ku mbetën të bllokuar minatorët.