Burime nga brenda mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste i thanë Top Channel se, për herë të parë kryeministri Rama ka folur hapur lidhur me situatën e krijuar në koalicion me partinë e Ilir Metës.
“LSI po luan taktikisht dhe është në të drejtën e saj ta bëjë këtë. Por pozicioni ynë, – citohet të ketë thënë kryeministri, – nuk ndryshon dhe ne nuk e kthejmë në një çështje taktike këtë partneritet strategjik. Natyrisht, LSI mund të vendosë të dalë vetëm, por kjo s’është arsye për t’u shpërqëndruar nga objektivi ynë”.
Por deklarimi më i rëndësishëm, në mbledhjen e Kryesisë socialiste, i kryeminitrit duket të ketë qenë pikërisht mbi shifrën 71, në të cilën mbështeti argumentin e tij më herët Ilir Meta. Sipas Edi Ramës, me votat e vitit 2013 dhe ndarjen aktuale të mandateve, “Partia Socialiste merr 69 deputetë po të jemi në koalicion me LSI, PDIU, FRD”.
Por sipas Edi Ramës, koalicioni merr 71 deputetë nëse LSI del veç, sepse e tillë është formula.
Sipas kryeministrit, aleanca me LSI-në krijon një mazhorancë solide reformash, jo thjesht një mazhorancë numrash, dhe reformat e jo numrat janë arsyet e koalicionit me Metën, citohet të ketë thënë Edi Rama.
Burimi: Top Channel