Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernard Borchardt dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu tha se zgjedhjet në Shqipëri janë të rrezikuara.
“Zhvillimet e fundit, ku ministra të qeverisë kanë konfirmuar problemet e ngritura nga opozita për kriminalizimin e qeverisjes, të shtetit, të pushtetit lokal, të policisë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, faktet e dala për lidhjen e figurave kryesore të mazhorancës me kokat e krimit të organizuar, janë dëshmi e fuqizimit të krimit dhe mosshkëputjes së mazhorancës nga krimi”, u shpreh Basha për mediat.
Në kushtet kur kërkesa e opozitës për votimin e numërim elektronik refuzohet nga mazhoranca, Basha thotë se zgjidhja e opozitës janë protestat. “Koha po vjen për një aksion politik, mbarë qytetar. A ja vlen të ngrihen për lirinë e votës? Une besoj se i përgjigjem pozitivisht, se kundërta s’ka të ardhme, PD po nis aksionin për protesta”, u shpreh ai.