Katër shqiptarë janë kapur nga policia italiane gjatë një operacioni antidrogë të shtrirë në 4 qytete: Forli, Cesena, Rimini dhe Ravena. Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, atyre u janë sekuestruar 6 kg kokainë, 2 kg marijuanë, 200 gr hashash dhe 54 mijë euro.
Një pjesë e drogës është gjetur në makinë, ndërsa pjesa tjetër ishte fshehur në banesën ku rrinin shqiptarët. Ata u kapën pas një hetimi të gjatë ku ka edhe prova filmike të shitjes së lëndëve narkotike. Të arrestuarit, të cilët nuk bënin asnjë punë, lëviznin lirshëm në zonën Romagna-s. Mësohet se vlera e përgjithshme e drogës shkonte në treg mbi 1 milionë euro. Emrat e të arrestuarve nuk bëhen publik për momentin nga policia italiane.