Prej pak ditësh, një foto e shtatë rekrutëve shqiptarë në ushtrinë greke me simbolin e shqiponjës, është kthyer në debat në shtetin fqinj.
Rasti i tyre i është referuar prokurorit ushtarak të Janinës që më 23 janar.
Sipas njoftimeve nga mediat greke, rekrutët nuk janë betuar ende, megjithatë i nënshtrohen ligjit ushtarak grek. Për ata ishte parashikuar të betoheshin më 2 shkurt, ndërkohë gjatë këtyre dy javëve që do të zgjasin hetimet, Shtati i Përgjithshëm i Ushtrisë ka thënë se ata të shtatë do të shpërndahen në pika të ndryshme në Greqi dhe jo bashkë.
Përveç simbolit të bërë në foto, i cili sipas ligjit ushtarak është konsideruar si fyerje në shkallën e kundërvajtjes, ata të shtatë do të hetohen edhe për faktin sesi kanë mundur të fusin në kampin e ushtrisë një aparat fotografik, apo telefon nën hundën e zyrtarëve.
Mjeti me të cilin kanë shkrepur foton nuk është gjetur ende.
Ndërkohë sipas burimeve të ANT1 thuhet se në Forcat e Armatosura Greket këto ditë po kërkojnë për një “organizim” të bllokut nacionalist të Shqipërisë.
Sipas të njëjtave burime, deri tani ka prova se foto e bërë nga shtatë rekrutët ka qenë e paramenduar dhe e drejtuar (organizuar) mirë.
Hetimi nuk është fokusuar vetëm tek protagonistët e fotos por edhe në nivele të tjera të shërbimeve, madje po hetohet për lidhje të mundshme të familjarëve të tyre me qarqe ekstremiste në vend./ opinion.al