Pesë muaj pas rënies së një avioni në Ishëm, prokuroria nuk ka mbyllur ende hetimet. Piloti italian Guido Guidi lihet i lirë të largohet nga Shqipëria, por me kushtin që sa herë ta thërrasin autoritetet hetimore ai të paraqitet në Shqipëri. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot masën e ndalimit “garanci pasurore prej 10 mijë euro” ndaj pilotit Guidi, derisa hetimet ndaj tij të përfundojnë. Pra atij i është kthyer pasaporta dhe mund të lëvizë lirshëm, dhe si peng ka lënë 10 mijë euro. Vendimi u dha pas kërkesës së Prokurorisë, e cila po kryen veprime hetimore për të zbardhur shkaqet e fluturimit nga Italia në Ishëm të avionit “Piper” mesin e shtatorit 2016. Ai u dyshua për trafik droge, të mbetur në tenativë, akuza që deri tani nuk janë provuar.