Rexhep Qosja ka shpjeguar idenë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë duke thënë se këtë po e bën për të shpëtuar Kosovën nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe. Ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë është ide për të mos lejuar shtete të vogla të Serbisë brenda Kosovës.
“Me dallim prej meje që do të doja ta shpëtoja Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunave Serbe, domethënë prej shteteve të vogla serbe nëpër Kosovë, dhe t’i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë…”, ka shpjeguar Qosja, në një shkrim postuar në FB.
Reagimi i plotë: KRITIKËVE TË PROPOZIMIT TIM
Kam këtë përgjigje për ju që po e kritikoni aq emocionalisht propozimin tim të botuar disa herë, edhe para 30 vjetësh, për shkëmbimin e Mitrovicës Veriore të banuar me serbë me Luginën e Preshevës – me Preshevën, Bujanocin, Medvegjën e fshatrat përreth të banuara me shqiptarë. Me dallim prej meje që do të doja ta shpëtoja Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunave Serbe, domethënë prej shteteve të vogla serbe nëpër Kosovë, dhe t’i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë dhe e sunduar edhe tani prej Serbisë, të cilëve do të mund t’u bashkoheshin edhe serbët e viseve të tjera të Kosovës, e t’i jepeshin Kosovës Presheva, Bujanoci e Medvegja me fshatrat përreth të banuara me shqiptarë, ju në realitet do t’ia dhuroni Serbisë të dyja: Mitrovicën Veriore, e cila që tani po bëhet qendër administrative, ekonomike, arsimore e kulturore serbe nën sundimin e Serbisë dhe Luginën e Preshevës, e cila do të shpopullohet prej shqiptarëve e do të popullohet prej serbëve! E këtillë, mjerisht, është e ardhmja e çështjes ende të pazgjidhur plotësisht shqiptaroserbe, që na e dhurojnë mendjet që mendojnë vetëm sot për sot dhe që shohin vetëm deri te kthesa e parë: vetëm deri te muri i rrënuar buzë Ibrit dhe vetëm deri te treni i dekoruar i kthyer pas Beograd-Mitrovicë! Dhe të gatshëm – që të na pagëzoni kombi kosovar! Nuk dua të mendoj që kjo politikë është e frymëzuar më parë prej propagandës së atyre që gëzojnë frytet e tregtisë së zezë të mafisë serbe dhe të mafisë shqiptare në Mitrovicën Veriore sesa të mendjepakësisë e të padijes. Prishtinë, 22.01.2017
REAGON PANDELI MAJKO
Deputeti Pandeli Majko e konsideron të gabuar propozimin e akademikut Rexhep Qosja për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, i cili u shpreh para pak ditësh në një emision televiziv se Serbisë duhet t’i jepet veriu i Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës, ndërsa bashkimi me Shqipërinë do të ndodhë
Përmes një statusi në Facebook, Majko shprehet se historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare, ndërsa hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm.
Postimi i Pandeli Majkos:
Rexhep Qosja padyshim është një cilësi e pandryshueshme kombëtare. Propozimin e tij për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj të gabuar. Historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare. Ato janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare. Kufiri është serioziteti i cdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm. Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Cfarë duan shqiptarët!?” Pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerr të humbur palën që e nxit atë. Me respektin maksimal për Rexhep Qosen, për një mik që koha nuk e ndryshon… Nga ai kam mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që nuk e nxjerrin humbës.