Milani është mposhtur mbrëmjen e sotme në një ndeshje kyçe të luftës në Serinë A për një vend në Ligën e Kampionëve. Napoli ka arritur të dalë me tri pikë nga “San Siro” duke mposhtur me rezultatin 1-2 kuqezinjtë që zhgënjyen një numër të madh tifozësh në shkallët e stadiumit.
Insinje dhe Kajehon në minutat 6 dhe 9 shënuan dy gola të shpejtë për Napolin duke kapur në befasi vendasit. Më pas Milani u përpoq të reagonte dhe Kucka në minutën e 37 arriti të ngushtonte shifrat. Kuqezinjtë e Montelës e rritën shumë presionin në pjesën e dytë në kërkim për të barazuar rezultatin, por nuk ia dolën të çanin prapavijën napoletane. Mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj ishte në fushë për 90 minuta të plota. Pas këtij takimi, Napoli mban vendin e 3-të me 44 pikë të grumbulluara në 21 ndeshje, ndërsa Milani qëndron i 5ti me 37 pikë të mbledhura në 20 ndeshje./ Panorama