Me 9 Janar janë mbushur pesë vjet që kur ka filluar punën shkolla dhe agjencia e modës “Grace models”, themeluar dhe udhëhequr nga Greiss Petroviç, ikonë e modelimit shqiptar. Në këtë shkollë dhe agjenci, mësimet dhe këshillat e Greissit i kanë ndjekur emra të njohur si Adrola Dushi, Megi Ndokaj, Eva Murati, Enxhi Cuku e shumë të tjerë.
Shkruan: Albatros Rexhaj
Modelimi nuk është një profesion i lehtë, përkundrazi po aq sa është glamuroz është njëkohësisht edhe i ashpër. Por edhe pa veçantitë delikate të modelimit si profesion, në shoqërinë tonë ka mjaft paragjykime në lidhje me atë se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë një femër, apo si duhet apo nuk duhet të jetë ajo. Te ne, në një ngjizje të përnjëhershme të tradicionales arkaike dhe të trendit aktual, jo rrallëherë të lodhshëm, gjithçka që ka të bëjë më modelimin mund të duket thjesht e paarritshme. Aq më tepër kur vlera e modelimit, si profesion, është e lidhur ngushtë me pamjen fizike, si diçka e përkohshme qoftë edhe për bukuroshen më të madhe. Por një konstatim i tillë nuk vlen për Greiss Petroviç.
Sigurisht edhe si rrjedhojë e ngjizjes së qetë të tipareve më të mira të ADN-së së malësorëve kroatë të Dalmacisë ilire dhe të malësorëve shqiptarë, si pamje fizike por edhe si energji vibrante, Greissi është përfaqësuese e atij tipi të bukurisë femërore që përmbledh ndjenjën e paqes, epshin shpirtëror si forcë burimore të universit dhe elegancën arkaike që i reziston presionit të zhurmshëm të modernes. Ajo përbën përjashtimin e domosdoshëm, në linjën e narracionit të zbehtë dhe kontravers që ndjek nga prapa profesionin e modelimit. Me Greissin, si përfaqësuese të suksesit, modelimi fiton një kuptim tjetër: atë të një profesioni të jashtëzakonshëm, që të hapë mendjen për shumë gjëra të reja, gjithnjë nëse i qasesh me këmbë në tokë, ashtu siç i është qasur Greissi.
Të jesh modele, ndër të tjera, do të thotë të kesh edhe një mundësi të veçantë që të jesh dikush tjetër pos vetes tënde, ndonjëherë edhe disa herë brenda një dite të vetme. Pra modelimi është aktrim i heshtur, pa fjalë, me plastikë të trupit, me energjinë që projekton. Kështu e përjeton Greissi modelimin dhe kështu është kudo në botën normale. Te aura njerëzore dhe profesionale e Greissit vërtetohet se modelimi nuk përbën vetëm një projektim imazhi, ashtu siç parapëlqejnë të mendojnë shumë vajza dhe djem. Jo, Greissi është dëshmi e gjallë se modelimi nuk ka të bëjë vetëm me të qenët e bukur, por në radhë të parë do të thotë të krijosh diçka interesante, të bukur për sy, por edhe diçka për të cilën njerëzit do të reflektojnë. Për një modele të suksesshme, nuk është e thënë të lërë përshtypjen e një imazhi të përsosur, mjafton të lërë përshtypjen e një shpirti të kënaqur me veten dhe jetën, diçka te e cila njerëzit do të mund ta gjejnë veten ose dëshirat e tyre. Pikërisht në këtë detaj fshihet edhe suksesi i Greissit me shumë modele të reja, të cilat duke kaluar nëpër duart e saj, duke marrë hov dhe krahë nga këshillat dhe mësimet e saj, ia kanë dalë që nga pasarelat e modës të depërtojnë si imazhe dhe drejtuese emisionesh dhe spektaklesh televizive. Me fjalë të tjera, Greissi e di shumë mirë sekretin, se si një imazh i bukur të fuqizohet me shkathtësi profesionale dhe dhunti intelektuale, ndërkaq dëshmitë e suksesit të saj mund të gjenden kudo në shou bizin dhe median shqiptare.
Me punën dhe qëndrimin e saj, padyshim që Greissi është shumë më tepër se sa një modele, ajo është personalitet, ndërkaq me durimin, rezistencën dhe vendosmërinë e saj profesionale imponon respekt. Mishërim i përkufizimeve shekspiriane për atë se si duhet të jetë, në formë, paraqitje dhe përmbajtje, një femër që veten e përjeton si damë. Greiss përbën shembullin didaktik të frymës së feminizmit bashkëkohor, ku vajzat dhe modelet e ditëve të sotshme nuk interesohen vetëm që të vishen e të duken bukur, por ato punojnë që të njihen si profesioniste dhe sipërmarrëse të suksesshme. Të jenë dikush dhe jo një diçka.
Thënë këtë, nuk kam si të mos pohoj se secili nga ne synon që në jetë të bëjë dhe të arrijë diçka me të cilën do të mund të shërbente si model për të tjerët. Në një moshë mjaft të re, duke eksploruar horizontet e modelimit, Greiss Petroviç ia ka dalë që nga një modele profesioniste të kthehet në një shembull model për shumë vajza të reja që synojnë diçka më shumë, përtej dhuntive fizike që u ka falur Zoti.
Madam Greiss, bravo!
(ky reflektim është krejtësisht personal)