“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka udhëtuar drejt Parisit me çarter të një biznesmeni, ndërsa në Tiranë shpërndante kaseta dhe bënte sikur inauguronte kopshte”. Kështu deklaroi Grida Duma sot nga selia e PD-së duke e akuzuar Veliajn për interesa klienteliste me një biznesmen. Bashkia reagoi menjëherë duke publikuar biletat e udhëtimit të Veliaj një ditë më parë drejt Milanos. Sipas bashkisë, Veliaj ishte në Itali për të vizituar Bashkim Finon të shtruar në spital.
Por ka një problem… PD thotë se Veliaj ka udhëtuar para dy ditësh, ndërsa Bashkia thotë se Veliaj ka udhëtuar dje (pra një ditë më parë). Opinion.al u interesua nëse bëhet fjalë për të njëjtin udhëtin dhe PD-ja tha se “do ti faktojë Veliajt udhëtimin privat me çarter në Paris”. Kështu beteja vazhdon….
Akuza e Grida Dumës
Dy ditë më parë, Erion Veliaj ka udhëtuar me një avion çarter nga Rinasi drejt Parisit. Me të kanë udhëtuar zëvendësi i tij Mazniku, një ndihmëse e tyre dhe një biznesmen. Avioni çarter është paguar nga biznesmeni.
Ndërsa Veliaj gëzonte luksin e Parisit, për qytetarët shqiptarë u kishte dërguar mediave një kronikë të gatshme, video sikur ndodhej në krye të detyrës duke inspektuar një kopësht në Tiranë. Ky raast është më shumë se mashtrim. Eshtë dëshmi e pazareve të Veliajt me planin urbanistik dhe kullat që ka vendosur të mbjellë në Tiranë. Nuk ka shqiptar që mund të mendoje se një biznesmen mund të paguajë për luksin e Erion Veliajt pa përfituar gjë të paligjshme prej tij. Prandaj, Erjon Veliaj duhet të përgjigjet publikisht: Pse udhëton me çarter për në Paris me një kosto të paktën 60-70 mijë euro?
Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter?
Kush e pagoi çarterin? Çfarë interesash ka me bashkinë, biznesmeni që pagoi çarterin dhe qëndrimin luksoz të Erjon Veliajt në Paris?
Mbrojtja e Bashkisë
Bashkia e Tiranës hedh poshtë shpifjet e fundit të Partisë Demokratike, lidhur me një gjoja udhëtim që Kryetari i Bashkisë paska bërë dy ditë më parë në Paris. Kjo është një sajesë e ulët që vetëm zyra e SHQUP-it mund ta fabrikojë dhe sigurisht, si çdo gënjeshtër tjetër e tyre hidhet poshtë lehtë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi ka inspektuar dje rreth orës 10.00 të paradites punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Kopshtit 17, ka udhëtuar për në Itali me një kompani fluturimi “loë cost” për të vizituar deputetin e PS-së, Bashkim Fino, i cili po kurohet prej disa ditësh në shtetin fqinj. Mbrëmjen e djeshme z. Veliaj është kthyer sërish në Tiranë, për të vijuar sot në mëngjes me inspektimin te Parku i Madh i Liqenit, ku edhe deklaroi se i shtohen 25 hektarë hapësirë publike e gjelbërim, si dhe një takim me Ambasadoren e Islandës në Tiranë, Estrid Brekkan. Për ta faktuar këtë po publikojmë edhe biletën e udhëtimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
*bileta e publikuar nga bashkia