Të gjithë lojtarët që kanë blerë pranë vajzave të promocionit, biletat e Shortit Special të Telebingos Shqiptare (të hedhur në datën 1 janar) duhet të kontrollojnë mirë biletën, pasi mund të jenë ata fituesit milionerë të superbingos prej 140 milionë lekësh (të vjetra).
Ndonëse, kjo biletë është shitur, fituesi nuk është paraqitur pranë kompanisë së Telebingo Shqiptare, për të marrë çmimin e fituar. Sipas rregullores së lojërave të fatit, blerësi i kësaj bilete milionere, duhet që brenda 90 ditësh të paraqitet së bashku me biletën për të tërhequr çmimin e fituar.
Në këto kushte, çdo person që ka blerë bileta për shorteun special të ndërrimit të viteve, pranë vajzave të promocionit, mund të paraqitet në çdo pikë të shitjes së biletave të Telebingos, për të verifikuar edhe një herë nëse janë fitues të bingos milionere 140 milion lekësh (të vjetra).
Krahas pikave të shitjes së biletave, ky verifikim mund të bëhet edhe në faqen zyrtare të Telebingos në Facebook, ku gjenden të detajuara të gjitha të dhënat për çmimet e fituara në këtë shorte special. E nëse deri në përfundim të afatit 90 ditor, ky fitues nuk paraqitet, fond i mbetet kompanisë.
Megjithatë, kompania që organizon lojën Telebingo Shqiptare, ka vendosur që këtë fond ta shpërndajë tek lojtarët, nëse fituesi nuk paraqitet brenda afatit të përmendur.
Konkretisht është menduar që në fillim të muajit maj, (kur skadon dhe afati 90 ditor për paraqitjen e fituesit), të organizohet një tjetër shorte special, ku shuma prej 140 milionë lekësh të vjetra, të ndahet ndërmjet 14 fituesve që do të dalin nga ky shorte, ku secili prej tyre do të marrë 10 milionë lekë (të vjetra).