Shpërthimi i tritolit pranë një dyqani në rrugën “Demokracia” në Bathore ka lidhje me hakmarrjen.
Policia e Tiranës dyshon se shkak i vendosjes së tritolit pranë një dyqani në pronësi të familjes së Gazmir Dacit, kanë të bëjë konfliktet e një viti më parë.
Kjo për faktin se familja Daci ka një konflikt me fqinjët e tyre, familjen Kolaveri.
Në 4 nëntor të 2015-s Gazmir Daci qëlloi me pistoletë në Kamëz në drejtim të Valmir dhe Robert Kolaveri. Nga ngjarja mbeti i vrare 27-vjeçari Valmir Kolaveri. Gazmir Daci u arrestua një muaj më pas në një hotol pranë Vorës.
Konflikti mes djemve të familjes Daci dhe Kolaveri e ka origjinën në Francë.
Mendohet se dy vëllezërit Kolaveri dhe Gazmir Daci, i njohur edhe si Elton Daci bënin transportin e paligjshëm të refugjatëve nga Franca në Angli.
Por prishja e pazareve ka sjellë edhe konfliktin mes tyre, duke bërë më pas që Gazmir Daci t’i bëjë atentat dy vëllezërve në Kamëz.
Familja Daci për vendosjen e tritolit ka akuzuar në mënyrë direkte familjen kolaveri.
4 anëtarë të kësaj familje janë shoqëruar në polici, por janë liruar më pas për mungesë provash.
Kjo është hera e dytë që dyqanit të familjes Daci i vendoset tritol, por deri më tani janë shënuar vetëm dëme materiale.
*Në foto Gazmir Daci