KQZ është mbledhur sot për të diskutuar mbi kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandatit të Rroshit, Selamit dhe Tahirit. Gjatë diskutimit në KQZ, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi tha se për rastin e Shkëlqim Selamit dhe Elvis Roshit, mandati duhet hequr. Ndërsa për rastin e Dashamir Tahirit ai tha se kërkesa e Prokurorisë nuk qëndron.
“Për sa i përket rastit të Dashamir Tahirit, ndaj tij në Itali është bërë ekzekutimi i menjëhershëm i dënimit. Dhe vepra e tij penale është amnistuar në vitin 2006 nga shteti italian. Sipas ligjit të dekriminalizimit ai e ka shlyer dënimin deri në vitin 2014. Dhe ndaj nuk ka asnjë pengesë për të ushtruar funksione publike”, tha Bardhi.
PS: Nuk mbështesim asnjë nga ‘të inkriminuarit’
Genc Gjonçaj, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, tha se kjo forcë politike nuk do të bëjë ndarje mes personave të majtë dhe të djathtë që akuzon Prokuroria.
Gjonçaj tha se PS do të mbështesë vendimmarrjen e KQZ-së.
“Dekriminalizimi nuk është vetëm çështje ligji, është çështje morali. Largimi nga jeta publike e funksionarëve që kanë pasur problematik me ligjin, është detyrë në vetëvete. Ne do mbështesim vendimmarrjen e KQZ, pa asnjë shqetësim tjetër për emra dhe mbiemra, për persona që vijnë majtas apo djathtas. Qëndrimi ynë duhet të jetë parimor. Nuk duhen ndarë personat”, tha Gjonçaj.