Pala malazeze ka bllokuar prej disa orësh lëvizjen në pikën doganore të Murriqanit, duke krijuar radhë të gjata makinash në pritje për të kaluar kufirin.
Sipas një telefonate në Opinion.al, është bërë me dije, se pjesa doganore e Malit të Zi për më shumë se tre orë nuk është funksionale, ndërsa ende nuk dihen arsyet që kanë çuar palën malazeze në këtë vendim.
Po i njëjti burim, tha se për këtë shqetësim është telefonuar ambasadori shqiptar në Podgoricë dhe pas ndërhyrjes së tij, në këto momente, pala malazezë ka filluar të funksionojë vetëm me një sportel në pjesën e saj doganore.
Mësohet, se ky është një problem i përsëritur nga ana malazeze dhe arsyet janë të shumta.
Disa më kryesoret, sipas informacioneve të siguruara nga Opinion.al, është moszbatimi i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe korrupsioni shumë i theksuar tek punonjësit e doganës malazeze, i cili kohëve të fundit është bërë shumë shqetësues për kalimin e kufirit nga Shqipëria për në Mal të Zi.