Pronat e sekuestruara nga aktivitetet e paligjshme janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave. Gjithsej janë 7 prona me vlere 270 milionë lekë ose 2 milionë euro. Pronat ndodhen në qytetet e Durrësit, Tiranës, Sarandës dhe Lushnjës.
Vlera më e madhe në lekë i takon një ullishteje në Durrës, e cila del në ankand me vlerë 111 milionë lekë. Gjithashtu me vlerë respektivisht 44.8 dhe 74.5 milionë lekë u takojnë dy parcelave toke po në Durrës.
Ndërsa një makinë “Mitsubishi-Pajero” e sekuestruar në Tiranë ka dale në shitje për 115 mijë lekë (të reja).
Ankandi për blerjen e tyre do të zhvillohet me 11 janar të vitit 2017. Sipas kritereve të gares në ankand mund të marre pjesë çdo person fizik apo juridik i interesuar.
Për blerje me ankand duhet të paraqitet një kërkesë me shkrim për blerjen e objektit apo ndermarjes e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Financave, mandat pagesën apo garancinë bankare në origjinal që vërteton derdhjen apo ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë për llogari të Ministrisë së Financave si dhe dokumentet e identifikimit.
Vitet e fundit pasuritë e sekuestruara në të gjithë vendin janë miliona euro, por ende sot e kesaj dite nuk ka një regjistër dhe transparencë sesi administrohen pasuritë e konfiskuara.
Përkundrazi edhe pasi është vënë sekuestro pasuritë janë shfrytëzuar nga të afërm të personave, ndaj të cilëve është aplikuar masa.
Deri me tani as Ministria e Financave dhe as Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk kane te publikuar raporte dhe bilance të gjendjes së miliona euro pasuri që janë sekuestruar dhe konfiskuar ndër vite./Monitor