Dashamir Shehi, në lidhje me politikën ruse në botë, ka theksuar se ata po përfitojnë kudo ku ka një keqadministrim shteti dhe një vakum perëndimor.
Shehi tha se rusët kanë qenë gjithnjë alternativa e botës atje ku ka dështuar Perëndimi.
Sipas tij, kjo situatë është krijuar, pasi Perëndimi ka pasur një krizë të madhe financiare.
“Perëndimi ka hallet e veta, tani asaj i dhimbset më shumë situata e keqe financiare që po përjeton, sesa do t’i dhimbsen realitetet që po përjeton bota. Edhe kjo është një aspekt që ka ndikuar. Sepse resurset që mund të përdoreshin për të mbyllur këtë lloj krize, sigurisht që Perëndimit i janë dashur për të mbyllur krizën e vet brenda shtëpisë së vet”.
Shehi tha, se edhe sot, nëse Perëndimi do të tregonte dhëmbët si në kohën e Reganit, Rusia do të tërhiqej nga disa situata të cilat nuk e afektojnë direkt atë.
“Rusia ka dy situata për të bërë. Ka një situatë për të mbrojtur prestigjin dhe territorin e vet. E dyta, është situata globale, pra rusët reagojnë në një mjedis ndërkombëtar në politikën globale, ku kanë qenë faktor të dorës së parë, janë larguar për disa vjet. Perëndimi duhej të bëhej gati që këto një ditë do të vinë. Tani, a e justifiokon kjo këtë lloj situate në botë? Unë mendoj se këtu ka edhe faktorë të tjerë. Është dobësia perëndimore, është një lloj krize morale që pati edhe kapitalizmi në vetvete, se nuk qenka mënyra më e mirë për të administruar botën, të gjithë këto lloj krizash kanë influencuar”.
Shiko videon: