Banka Botërore do të financojë me 63.8 milionë euro për ndërtimin e unazës turistike të jugut. Marrëveshja u nënshkrua të martën në Tiranë mes ministrit të Financave Arben Ahmetaj dhe drejtores së zyrës së Bankës Botërore në vendin tonë, Tahseen Sayed.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi marrëdhënien me këtë institucion, një burim të rëndësishëm strategjik i dhënies e marrjes së dijeve.
“Mbi ndihmën financiare qendron partneriteti strategjik i konsoliduar këto vite, në funksion të gjetjes së zgjidhjeve për probleme të mëdha që kemi trashëguar”, tha Rama ndërsa renditi tre reformat e mëdha që janë kryer në bashkëpunim me këtë institucion, reformën në sektorin e energjisë, luftën kundër informalitetit dhe atë në sektorin e pensioneve.
Sipas kreut të qeverisë, reformat e ndërmarra janë reforma që janë zvarritur e vonuar për shumë vite, duke krijuar kosto e pasoja, të cilat tha ai, mund të ishin shmangur nëse do të ishin bërë vite më parë.
Megjithëse u shpreh se jo gjithmonë Banka Botërore ka lënë gjurmë pozitive apo ka bërë vetëm gjëra për t’u admiruar, Rama theksoi se me ekipin e Bankës ne kemi ndërtuar një partneritet real dhe ndërveprim thelbësor. “Paratë e përfituara dhe ajo ç’ka kemi mësuar nga ekspertiza e BB, përbëjnë një balancë perfekte”, deklaroi Rama.
Falës asistencës së BB-së, e vijoi më tej ai fjalën, agjencia ndërkombëtare e rankimit Moody’s, njohu progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë, si dhe arritëm të renditem në vendin e 58 për klimën e biznesit.
Duke folur për marrëveshjen e re për menaxhimin e integruar urban e turizmin, Kryeministri tha se projekti vjen natyrshëm dhe i bashkangjitet projektit të rilindjes urbane, të cilin qeveria po e zbaton.
“Programi i rilindjes urbane ka filluar të japë rezultate të rëndësishme në aspektin e perceptimit të vetvetes në komunitet, në zonat që deri dje ishin të pavizitueshme”, shtoi Kryeministri.
Po ashtu sipas Kryeministrit, projekti pritet të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të turizmit. Gjatë këtij viti, tha ai, kishte 25 % më shumë kërkesa se sa ofronte kapacitet Shqipëria.
Referuar punësimit në këtë sektor, Rama tha se objektivi ynë është që të rritet me 100 mijë deri në 2021, që , siç u shpreh ai, “jo rastësisht përkon dhe me mbylljen e mandatit të dytë qeverisës për të cilin askush nuk ka dyshim se do t’a ushtrojmë me përgjegjësinë më të plotë”.
Projekti me Bankën do të prek katër zona, Gjirokastrën, Beratin, Sarandën dhe Përmetin.
Ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se ky projekt ka si synim përmirësimin e infrastrukturës urbane, përmirësimin e aseteve turistike, forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur këtë zhvillim ekonomik e lokal të lidhur me turizmin në këto zona. Turizmi, tha Ahmetaj, përbën një sektor prioritar për ekonominë që ende performon nën kapacitet e për të cilin kemi ende shumë sfida për të adresuar.
Drejtoresha pranë Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Ellen Goldstain e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit, u shpreh se projekti pritet të sjellë përfitime për bashkësitë lokale si dhe të përshpejtojë rimëkëmbjen ekonomike që po shohim. Zhvillimi i këtij sektori parashikon të punësojë rreth 200 mijë persona deri në 2025 ,nga 50 mijë që numërohen sot, tha Goldstain.