Tensionet dhe qëndrimet e politikes greke ndaj Shqipërisë kohët e fundit po pasqyrohen edhe në faqet e mediave të tyre. Vetëm një ditë pasi ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos paralajmëroi zyrtarisht Shqipërinë “të mos guxojë të sfidojë Greqinë”, reagimi publik tek disa media dhe qarqe ekstremiste ka qenë i menjëhershëm.
E përditshmja “Stohos” është hapur me një kryeartikull që u bën thirrje autoriteteve greke të dëbojnë të gjithë emigrantët shqiptarë, që sipas shkrimit janë “kolona e pestë e Turqisë në Greqi”. Më tej gazeta lka realizuar edhe një fotomontazh me anë të të cilit paralelizon flamurin tonë kombëtar me flamurin e Turqisë, ndërsa përballë tyre qëndron një ushtar që i qëllon me plumba.
Raportet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë kohët e fundit janë prekur nga retorika deri diku të ashpra, që nisën nga pretendimet për Himarën dhe vijuan me deklaratat e Kryeministrit Rama në kuvend.
Më tej intervista e Ramës në mediat greke, duket se nuk u mirëprit nga politika e shtetit fqinj, që vijoi të provokojë këtë radhë me ministrin e saj të mbrojtjes, Panos Kammenos, shumë pranë kufirit shqiptar.
I pranishëm në garnizonin ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, në kufi me Shqipërinë, teksa qëndronte i veshur me kamuflazh dhe në praninë e gjeneralëve më të lartë të ushtrisë greke, Kammenos ka folur prerë, duke paralajmëruar Tiranën se Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Nga këtu dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë traktatet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare për të bërë deklarata provokuese. Përgjigjja jona është e qartë: Greqia është e vendosur të mbrojë sovranitetin kombëtar të vendit dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare. E kam fjalën edhe për deklaratat e fundit të z. Rama, për sajesat antihistorike që ai flet e që na sjellin përsëri në kujtesë bashkëpunëtorët e nazizmit. Ishin ata që dolën në anën e humbësve. Ata ishin në anën e mundur në luftë. Ne nuk do të pranojmë sfida të tilla dhe nuk do të pranojnë raporte të tilla, të cilat dëmtojnë dhe infektojnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, – tha ai.
Ndërkohë, në aksin rrugor kombëtar Tepelenë- Gjirokastër, mëngjesin e djeshëm, sipas një fotoje të siguruar nga “News 24” rezulton të jenë shkruar me sprai parulla për “Vorio Epirin”.