Reperi Kanye West është liruar nga spitali të mërkurën më 30 nëntor, kështu kanë bërë të ditur mediat amerikane duke i cituar disa burime të paidentifikuara. Ai për një javë qëndroi i shtrirë në spital, pasi kishte pësuar krizë shpirtërore dhe po vuan nga lodhja e tepërt.
Televizioni CNN dhe gazeta Los Angeles Times, kanë bërë të ditur se West është larguar nga spitali “UCLA Medical Center”, pas marrjes të trajtimit të duhur mjekësor, dhe tani po ndihet më mirë.
Ndërsa, revista ‘People’ duke e cituar një burim të paidentifikuar të reperit ka bërë të ditur se: “West tashmë gjendet në shtëpinë e tij, ku po pushon dhe po kalon kohë me familjen e afërt”.
Me shumë mundësi ai do të jetë afër familjes në ditëlindjen e parë të djalit Saint West më 5 dhjetor.
Zëdhënësi i West-it dhe bashkëshortes së tij Kim Kardashian, nuk kanë qenë të gatshëm të komentojnë rreth shëndetit të këngëtarit dhe disenjatorit të famshëm, si dhe rreth lëshimit të tij nga spitali.
Ylli i hitit “Jesus Walks”, i cili ishte duke e realizuar turneun e tij nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u detyrua të hospitalizohet pasi policia i ishte përgjigjur një thirrjeje për ndihmë para më shumë se një jave. Sipas burimeve të afërta të këngëtarit, ai kishte pësuar krizë shpirtërore dhe gjendja i është keqësuar edhe si pasojë e lodhjes së tepërt dhe pagjumësisë. Atëkohë bashkëshortja e tij, Kim, nuk gjendej përkrah tij, pasi bukuroshja amerikane kishte udhëtuar për ta ndjekur një gala mbrëmje, e cila po e nderonte babanë e saj të ndjerë.