Në tre ditët e fundit, dy ton drogë ka kaluar nga kufinjtë tanë për në Greqi dhe në Itali. Kështu deklaroi sot Enkeleid Alibeaj nga selia e PD-së, duke iu referuar shifrave që jep policia për aksionet antidrogë.
Sipas tij, nëse 2 ton drogë kapen nga policia, shumë më tepër është sasia e asaj që kalon kufijtë dhe hidhet në treg. “Në 10 ngarkesa, policia fqinje arrin të ndalë vetëm njërën, përfytyroni sa drogë shqiptare ka kaluar këto ditë në Greqi dhe në Itali”, u shpreh ai.
“Ndërkohë Edi Rama e mohon, thotë se nuk ka drogë, nuk kemi problem me drogën, edhe pse mbarë Europa është e shqetësuar, media italiane, greke, gjermane dhe BBC japin alarmin për hashashin shqiptar që po mbulon vendet e tyre”, vijoi ai.
“Droga dhe përfshirja e qeverisë në këtë biznes kriminal, është një realitet i frikshëm, që po inkriminon shoqërinë, po pushton rininë e shkollat, po shkatërron imazhin e vendit tonë, dhe është një prej mureve që po pengon integrimin europian të vendit. Vetëm një njeri ende nuk e kupton këtë gjendje të rëndë”. Ky është Edi Rama, i cili duke e mohuar drogën po vetëshpallet si kumbari i saj”, u shpreh Alibeaj.