Nga Reldar DEDAJ
Shkrimi, tingulli, figura dhe të dhënat, janë sot gjithkund dhe përshkojnë mbarë botën në më pak se një sekondë. Secili nga ne shikon gjithçka, di gjithçka dhe informohet për botën. Kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Me të drejtë mund ta quajmë një nga revolucionet më të mëdha të këtyre 50-vjetëve të fundit. Më shumë mesazhe, më shumë shpërndarës, më shumë mesazhmarrës. Më shpejt, më larg…Aktorët e kësaj përmbysjeje jemi ne. Komunikimi ndodhet kudo dhe është gjithnjë e më i pandashëm nga mjetet e reja të informacionit.
Sot gazetarët, për shkak të mjeteve të reja të komunikimit, kanë aftësinë të menaxhojnë në kohë reale informacionin e shpërndarë nëpërmjet teksteve, figurave, zërit dhe të dhënave. Këto mekanizma krijojnë gjithnjë e më shumë situata ndërveprimi ku mesazhmarrësi është gjithmonë aktiv, qoftë kur lexon, dëgjon, apo shikon një video në facebook, YouTube etj. Kësisoj, duhet kuptuar, se sasia e madhe e informacionit nuk do të tregojë domosdoshmërisht, saktësi në informim.
Të shikosh botën nuk mjafton ta bësh atë më të kuptueshme. Ndonëse i kudondodhur, informacioni nuk mund të shpjegojë një botë të përceptuar si më të ndërlikuar, më të rrëzikshme, më pak të kontrollueshme. Pikërisht për këtë, mjetet e reja të komunikimit, na treguan se informacioni mund të jetë kombëtar, madje edhe botëror, por marrësit nuk janë kurrë të tillë.
Gazetarët, si mjeshtra të mjeteve të informacionit dhe të përmbajtjes së tyre, zbuluan se të tjerët nuk mendojnë njësoj si ata, por që kanë frikë ta deklarojnë këtë me zë të lartë dhe me sa më shumë forcë. Ata, me të drejtë, ëndërruan ndoshta një fshat global dhe gjetën një kakofoni të Babelit.
Andaj, mjetet e reja të komunikimit siç mund të jenë edhe mediat sociale, arritën ta shndërrojnë informacionin në një tjetër natyrë, nga çfarë ishim mësuar ta merrnim nga mediat klasike: ai shpesh kishte natyrë më lokale, ishte i lidhur ngushtësisht me interesa të një shtrese shoqërore që nga mediat gjeneraliste kishte kohë që nuk prekej, të tilla teknika të informacionit të krijonin mundësinë e një bashkëbisedimi ndërmjet dhënësit dhe marrësit të mesazhit, gjë e cila bënte të mundur përfshirjen audiencës në të, nuk ekziston frika e censurës dhe manipulimit të informacionit dhe si rrjedhojë e krejt kësaj, e ndihmon gazetarin të vetëkontrollohet në punën e tij.
E themi të gjithë këtë në fund, pasi rolin e gazetarit, nuk mund ta zëvendësojë kurrë një adoleshent i fantaksur nga përparimi i teknologjisë, që kalon orë të tëra duke u fotografuar nga dy metra largësi. Por për çfarë fotosh bëhet fjalë? Për plane të mëdha, foto përballë, sipas dëshirës. Pa kontrast, pa fushë, pa ndërtim, pa dritë, pa befasi. Por edhe në këtë rast jemi larg nga raportimi profesional gazetaresk. Mjetet e komunikimit, edhe pse i japin mundësinë kujtdo që të merret me lajmin, nuk e dëmtojnë gazetarinë profesioanle, përkundrazi e korrigjojnë atë, e orientojnë në një gamë të madhe kakofonie informacioni, ku gazetari me përvojën, intuitën dhe profesionalizmin e tij, raporton atë çka vërtetë përbën lajm dhe mbi të gjitha brenda një etike të caktuar të dhënies së tij.
Pse ky krahasim i shpejtë? Sepse progresi teknik mundëson kapjen e imazheve dhe dërgimin e tyre, mirëpo kjo nuk ka ndonjë lidhje të madhe me situatën reale të raportimit gazetaresk. Po kështu ndodh edhe me informacionin. Gazetari ka etikë dhe profesionalizëm në dhënien e një mesazhi të caktuar. Nuk mund ta zëvëndësojë dokushdo rolin e tij, pavarësisht kushteve që krijohen për të realizur një shpërndarje informacioni./Opinion.al/