Deputeti socialist Eduard Shalsi që njihet si nismëtari i ligjit të plehrave ka folur teksa i drejtohej seancës së sotme plenare, ndërsa pak metra larg tij protestohej kundër këtij ligji. Protestuesit i ka quajtur qaramanë të paktë të mbetur rrugëve, kurse kundërshtarët në Kuvend intrigantë e spekulantë që luftojnë për interesa të ngushta e përfitime personale.
“Ndihem i keqardhur se ka pak qaramanë që kanë mbetur nëpër rrugë dhe ka intrigantë e spekulantë që janë në parlament, e që e kanë ndjekur çështjen jo nga shqetësimi për një Shqipëri të pastër, por nga përfitimet e tyre personale. Ne iu drejtuam BE dhe përgjigjja ishte e pastër se ndryshimet ishin të mirëadoptuara dhe të përshtatshme për rrethanat në të cilat gjendet Shqipëria”, u shpreh Shalsi.
Ai konfirmoi se ligji nuk do të ishte sot në rendin e ditës. “Nisur nga argumenti i Presidentit se ligji nuk ishte konform ligjislacionit të BE, ne iu drejtuam këtij institucioni europian. Tashmë që kemi përgjigjen do ta diskutojmë në Komision dhe në rastin më të parë do ta çojmë në Parlament”, sqaroi ai.