Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, në një intervistë për “Panorama” ka komentuar debatin e fundit për dekorimin që Bujar Nishani u bëri 67 anëtarëve të Ballit Kombëtar, të cilët u ekzekutuan në vitin 1943 nga Mehmet Shehu.
Për ish-presidentin, dekorimi mund të bëhej për secilin në mënyrë individuale, duke përcaktuar rolin e gjithsecilit në raport me luftën dhe bashkëpunimin me pushtuesit. Ish-presidenti ka theksuar më tej se gjatë kohës që ai drejtonte shtetin është treguar i kursyer me dekorata dhe “Urdhrin e Flamurit” ia ka akorduar vetëm presidentit Klinton.
“Në këtë kuptim, unë mendoj se çdo inflacion i këtij nderimi e fyen, në radhë të parë, vetë atë kontribut historik të tij. Dhe kjo duhet të kihet parasysh dhe për të gjitha nderimet e tjera”, është shprehur Meidani. Profesori i së majtës ka folur edhe për rolin e Mehmet Shehut dhe deklaratën e Sabit Brokajt se Shehu ka qenë burrë shteti.
Por, për Meidanin, pavarësisht vlerësimeve të aftësive drejtuese të Shehut, ai ka qenë pjesë e nomenklaturës komuniste për 35 vjet.
Ish-presidenti ka folur dhe për koalicionin e majtë, duke thënë se PS-ja dhe LSI-ja po i fusin shkopinj nën rrota njëra-tjetrës dhe kjo si rrjedhojë e qeverisjes së dobët të vendit. Ai ka folur dhe për koalicionin e mundshëm mes LSI-së dhe PD-së, duke thënë se një gjë e tillë sot për sot, nuk është oportune.
Meidani ka theksuar se një bashkim i tillë mund të jetë më i qartë pas zgjedhjes së presidentit të ri. “Sot nuk është e qartë, por as nuk duket oportune. Një përgjigje më realiste mund të jepet pas zgjedhjes së presidentit të ri, që normalisht me ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhë aty nga fundi i marsit, apo fillimi i prillit”, ka theksuar ish-kreu i shtetit.
Zoti Meidani, dekorimi i 67 nacionalistëve nga Presidenti Nishani si “Martirë të Demokracisë” provokoi një debat publik, ku pjesë e saj u bënë jo vetëm historianë, por edhe politikanë. Mendoni se ata ishin dëshmorë, apo viktima të Luftës Nacionalçlirimtare?
Që ishin viktima të luftës, ky është një fakt i drejtpërdrejtë dhe familjet e tyre kanë jetuar në vite me dhimbjen e humbjes së të afërmeve të tyre. Pra, një gjë e tillë as nuk mund të diskutohet sepse, në mungesë të luftës, ata do të ndiqnin jetën e tyre, me të këqijat dhe të mirat, me gëzimet e hidhërimet e veta. Por a mund të konsiderohen ata “Martirë të Demokracisë”, qoftë dhe si shenjë pajtimi kombëtar, kjo është një çështje e diskutueshme, nisur dhe nga vetë kuptimi i dy fjalëve që formojnë atë titull nderimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për demokraci, aq më pak në atë kohë?! Një problem tjetër është nëse ata do të mund të konsideroheshin si “dëshmorë të atdheut”, por në atë rast kërkohej të vlerësohej sa më mirë e drejt, jo në grup, por në mënyrë individuale, veprimtaria e gjithsecilit prej tyre në funksion të lirisë, sakrificës ndaj atdheut, vetë interesave kombëtare, nga njëra anë, apo bashkëpunimit me pushtuesin, nga ana tjetër, qoftë ai edhe për objektiva të qarta territoriale. Sidoqoftë, edhe në atë rast, duhej bërë dallimi individual, apo akoma leximi i qartë i veprimtarisë së secilit prej tyre, aktivitetit konkret individual gjatë luftës në raport me bashkëkombësit apo pushtuesin, kontributit konkret për çlirimin e vendit!…
Cili është vlerësimi juaj për këtë dekorim të Presidentit Nishani? Keni pasur ju gjatë kohës suaj si president kërkesa të ngjashme?
Fakti që u krijua një përplasje e tillë publike vlerësimesh e pozicionesh, shpesh 180-gradëshe, tregon se jo gjithçka ka qenë e mirëstudiuar. Por, në asnjë rast nuk duhen lejuar fyerjet publike ndaj kryetarit të shtetit, ato nuk i shërbejnë shtetit, fuqizimit të tij në sytë e qytetarit, respektimit të tij. Prandaj, parë shumë më gjerë, për të shmangur sjelljen kontradiktore të politikës në këtë rast, gjykoj se duhet të funksionojë më mirë në Presidencë procesi i vlerësimit dhe filtrimit të propozimeve, jo vetëm me konsultim të dy apo të disa njerëzve, por me anë të tërheqjes së mendimit të specializuar të institucioneve e organizmave të shoqërisë civile, të lidhura me individë apo ngjarje të caktuara, jo gjithmonë të gjithëpranueshme. Vetëm kështu vetë dekorimi mund të luajë jo vetëm qëllimin e nderimit, objektivin e tij individual e kolektiv, por edhe rolin e tij vlerësues e nxitës, frymëzues e edukues. Unë, edhe pse relativisht “i kursyer”, besoj se këtë kompetencë të kryetarit të shtetit e kam trajtuar në mënyrë neutrale, me seriozitet e kujdes, deri duke bërë edhe diferencime sa më të drejta midis nderimeve apo dekoratave. Sa për shembull, gjatë 5 vjetëve të ushtrimit të mandatit, unë kam nderuar me “Urdhrin e Flamurit” vetëm një personalitet të shquar, ky ka qenë Presidenti Klinton, pikërisht për kontributin e tij të madh në lirinë e Kosovës. Në këtë kuptim, unë mendoj se çdo inflacion i këtij nderimi e fyen, në radhë të parë, vetë atë kontribut historik të tij. Dhe kjo duhet të kihet parasysh edhe për të gjitha nderimet e tjera…
Si e vlerësoni ju deklaratën e profesor Sabit Brokajt, i cili, edhe pse e dënon aktin e pushkatimit të nacionalistëve me urdhër të Mehmet Shehut, e cilëson atë si burrë shteti për periudhën që drejtoi vendin për 30 vjet si kryeministër?
Për përgjigje ndaj kësaj pyetjeje drejtojuni z.Sabit, veçanërisht për të detajuar vlerësimin e tij. Por, ajo që unë mund të them është se, edhe Mehmet Shehu, pavarësisht ndonjë vlerësimi të ndeshur mbi kapacitetin e aftësitë e tij drejtuese, ka qenë edhe ai, për afro 35 vjet, pjesë e nomenklaturës së lartë komuniste.
Të kthehemi te politika e ditës, pas më shumë se tre vjet bashkëqeverisje, si e shihni bashkëjetesën PS-LSI, ose më mirë Rama-Meta, kur kanë mbetur më pak se 10 muaj para zgjedhjeve të 2017?
Ndihen aty-këtu shkopinj nën rrota të njërës palë ndaj tjetrës, diku në mënyrë të tërthortë, diku në mënyrë të drejtpërdrejtë, në zë të parë, të dytë, të tretë etj. Kjo është deri diku e kuptueshme, nisur dhe nga rezultatet e cilësia e kësaj qeverisjeje, e manifestuar shpesh dhe si një pakënaqësi e dukshme qytetare.
Përsëri ka ftesa me zë të plotë, por edhe me gjysmë zëri për një bashkëpunim të LSI-së me PD-në dhe të gjitha partitë e tjera për të larguar Rilindjen nga pushteti. Mendoni se mund të përsëritet ai koalicion i gjerë i 2013, por tashmë nga krahu tjetër?
Sot nuk është e qartë, por as nuk duket oportune. Një përgjigje më realiste mund të jepet pas zgjedhjes së presidentit të ri, që normalisht me ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhë aty nga fundi i marsit, apo fillimi i prillit. Konkretisht, në paragrafin e shtuar 2/1 në nenin 88 thuhet: “Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muaj që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.
Një parti e re u formalizua nga e majta, LIBRA, që krijuan deputetët socialistë Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi. Cili është vlerësimi juaj për arsyet e krijimit të saj dhe a mund të cenojë ajo rezultatin zgjedhor të PS-së?
Arsyeja bazë për shkëputjen e tyre nga PS-ja e Rilindjes ka qenë krejt evidente. PS-ja e Rilindjes nuk respektoi, madje preku rëndë një nga kriteret bazë të funksionimit të një partie demokratike, konkretisht zgjedhjen e drejtimit, pra dhe të kryetarit të partisë, me anë të procesit nominal të votimit, qoftë ky me anë të votimit të të gjithë anëtarëve, qoftë ky me anë të strukturave të zgjedhura më parë, siç ka qenë kongresi i partisë. Pra, a mund të militohet në një parti të uzurpuar nga kryetari, aq më pak kur ai shpalos pa ndrojtje, në parti apo në qeverisje, demagogjinë e gënjeshtrën, arrogancën e cinizmin?! Unë them se jo! Madje, është tepër e vështirë, deri e krejt e pamundur për njerëz me integritet e dinjitet, që ta durojnë një sjellje të tillë jo demokratike për kohë të gjatë. Prandaj, nëse votuesit e ndiejnë këtë frymëmarrje të re të këtij grupimi të ri politik, atëherë në një proces të drejtë dhe të ndershëm (pa blerje vote, pa manipulim e presion) në rezultatin në rënie të PS-së do të jetë e regjistruar jo pak dhe pjesa e lidhur me angazhimin politik-publik të këtij grupi./Aristir Lumezi/PANORAMA