Lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike do të mbledhë të shtunën në qytetin e Shkodrës autoritete të larta të Vatikanit, autoritete shtetërore dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, ndërsa pritet që mesha solemne do të ndiqet nga mbi 10 mijë pelegrinë. Në përbërje të delegacionit të Vatikanit do të jenë edhe 5 Kardinalë.
Në sheshin përpara Katedrales së “Shën Shtjefnit” në Shkodër, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për kremtimin e Meshës Solemne. Mesha e shenjtë do të zhvillohet të shtunën në orën 10:00 në Katedralen e “Shen Shtjefnit” dhe do të kremtohet nga Eminenca e Tij, Kardinal Angelo Amato. Famullitari i Shkodrës, Dom Artur Jaku shprehet se “atmosfera është e ngrohtë dhe kanë filluar të vijnë njerëz nga vende të ndryshme të botës”. “Flitet për 38 dëshmitarë të fesë dhe kombit, që tani nuk do i përkasin vetëm Shqipërisë, por janë universalë. Ata do të lajmërojnë se shqiptarët janë një komb që kanë çfarë t’i falin Europës dhe botës” tha ai.
Ndërsa, arqipeshkvi i Potenzes i ardhur në Shkodër me rastin e Meshës së Shenjtë, Imzot Salvatore Logorio, theksoi se me lumturimin e 38 martirëve Shqipëria rigjen identitetin e saj. “Mendoj se kjo ditë i shërben Shqipërisë, por bëhet mbi të gjitha është një frymëmarrje për të gjitha ato toka ku ka persekutim dhe ndoshta pikërisht ky shekull i kaluar ka pasur më shumë martirë se gjithë historia e kishës”, tha ai. Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e djeshme rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike, që dënon krimet e komunizmit ndaj klerikëve. Rezoluta shpreh mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e përfaqësuesve të klerit në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut. Rezoluta dënon fuqimisht regjimin totalitar komunist dhe krimet e kryera ndaj klerikëve shqiptarë.
Kuvendi e miraton këtë dokument dy ditë para Lumturimit nga Vatikani të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar.