Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e 65 vjetorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku premtoi se korpusi do të çlirohet nga ata që e kanë zaptuar, për t’i dhënë jetë masterplanit të ri. Familjet do të largohen dhe godinat e tyre do të shemben, tha Rama.
Një video prej dy minutash që i parapriu fjalës së Kryeministrit, të cilit pedagogët e pranishëm nuk ia fshehën aspak skepticizmin përsa i përket zbatimit të projektit.
“Pëshëpërimat që u kthyen në zhurma kur u prezantua masterplani shprehin mosbesimin tuaj të natyrshëm se gjithë ato pamje parajse mund të kthehen në realitet. Ju siguroj se ato pamje do jene reale ketu”, tha Rama.
Familjeve që banojnë brenda territorit të Universitetit Bujqësor, Kryeministri ua bëri të qartë se duhet të fillojnë të mendojnë për një zgjidhje tjetër.
Pavarësisht këtyre fjalëve, vazhdonin të mos e besonin. Kur pa që paralajmërimet e tij po shoqëroheshin me të qeshura, Kryeministri i vuri si në gjendje lufte.
“Do të fillojmë çlirimin nga pushtetuesit dhe ndërtimin, ju mund të qeshni, por ju jeni para 28 nëntorit, pra jeni të rrethuar, të pushtuar…”, tha Rama duke nënkuptuar hapësirat e zëna të universitetit Bujqësor.