FK Kukësi ka pezulluar pa afat lojtarin Bedri Greca si pasojë e reagimit që ka bërë pas zëvendësimit në ndeshjen ndaj Luftëtarit. Gjithashtu ai është ndëshkuar edhe me karton të verdhë në momentin e festimit të golit të Eminit sepse goditi flamurin këndor.
Vendimi për Bedri Greca:
“Një tjetër çështje që është diskutuar ka qenë edhe sjellja e lojtarit Bedri Greca, pas zëvendësimit në ndeshjen ndaj Luftëtarit. Reagimi i tij nuk ka lënë shije të mirë, pasi ka thyer rregullat disiplinore të klubit. Një vendim i tillë është konsideruar i patolerueshëm, ndaj në bashkëpunim me të gjitha strukturat e klubit është vendosur edhe masë disiplinore ndaj tij. Greca është pezulluar pa afat nga ekipi i parë dhe do të stërvitet me ekipin e Kukësit B, për një periudhë të pacaktuar kohore. Ai do të luajë edhe nën urdhrat e trajnerit Edmond Dalipi. Lojtari ka pranuar masën disiplinore dhe ka kërkuar falje për sjelljen e tij. Kjo vendimmarrje tregon edhe njëherë se asnjë lojtar nuk mund të dalë mbi klubin dhe thyerja e disiplinës është e patolerueshme”, thuhet nga drejtuesit e klubit në mbledhjen e fundit.