Nga Dritan LACi
Ben Blushi na erdhi edhe njëherë mbrëmjen e djeshme para syve si një shpëtimtar i kohëve moderne. Ne nuk kemi si ta dimë nëse Robin Hood i vërtetë, rebeli që ua merrte të pasurve dhe ua jepte të varfërve, kishte prirje të majta apo të qendrës, por fakti që Ben Blushi po kërkon të bëjë Robin Hoodin në një kohë kur personazhe të tillë nuk frymëzojnë më as më ëndërrimtarët, është shumë interesante për tu parë se si Blushi do ta mishërojë këtë rol në një shoqëri si ajo shqiptare ku padurimi ka treguar së më shpejt kërkon të korrë se sa të mbjellë. E pra me këtë frymë na u shfaq sërish mbrëmjen e djeshme Blushi në “Opinion”.
Një Robin Hood modern që ashtu si personazhi folkloristik britanik na vjen me premtimin që puna e parë që do të bëjë është t’ua marrë të pasurve atë ç’ka u takon të varfërve dhe tu japë të varfërve atë ç’ka u kanë marrë të pasurit. Shumë interesante për ta besuar për një të majt si Blushi që ikën nga një parti e majtë pasanikësh dhe troket në derën e harruar të një shtrese që thotë se janë të varfer, duke u premtuar që do u japë pasurinë e kolegëve të tij të pasur të majtë.
Gjithçka mbi kartën e Dinjtetit. Dhe çfarë premton Blushi “Robin Hood”!! Blushi “Robin Hood” premton që do ti marrë hashashin qeverisë dhe do t’ua kthejë në grurë të varfërve. Blushi “Robin Hood” premton që do u marrë taksat të pasurve dhe do ua kthejë në shërbime të varfërve. Blushi “Robin Hood” premton që do u marrë energjinë e papaguar oligarkëve biznesmenë dhe do ua kthejë në energji falas 400 mijë të varfërve. Blushi “Robin Hood” premton që do u kthejë arsimin publik të varfërve dhe do ua heqë nga dora manjatëve të lidhur me qeverinë. E shumë e shumë premtime të tjera si këto. Për të realizuar këtë mission të cilin ai e shenjon si historik Blushi “Robin Hood” ka gati edhe një platformë politike ku që në fillim kujdeset të mos e përvetësojë misionin e tij por të afrojë prane vetes edhe shumë Robin Hood të tjerë. Minatorë, mësues fshatrash, agronomë, bujq, etj etj me pak llaf njerëz të ndershëm në një vend ku ndershmëria nuk ushqen.
Përpara se Blushi ti japë përgjigje pyetjes se ku do e gjejë Njeriun e Ri, fillimisht une them qe në një shtet ligjor Robin Hood si Blushi ose duhen ndalur urgjentisht pasi përbëjnë rrezik potencial për trazira sociale ose duhen parë me skepticizmin e dikujt që ka nevojë të besojë por edhe provojë.
Pasi ironikisht si mund të kërkosh tu “vjedhësh” energjinë të pasurve dhe të ndriçosh të varfërit kur këta të fundit janë shumicë dhe me ndërgjegje apo jo sillen si pakicë dhe shesin katër vite votë për një thes miell.
Si do ua mbushësh mendjen fshatarëve se tu marrësh hashashin dhe tu kërkosh të mbjellin bereqet është po kaq fitimprurëse në një vend ku rrushi vjen nga Kili, patatja nga Bolivia, qepa nga Namibia, hudhra nga India, ndërkohë që prodhimet e tyre përfundojnë kanaleve.
Si do ua mbushësh mendjen të rinjve që të qenit ekselentë në vendin tënd është më mirë se të jesh bishti i kavallit në tokë të huaj kur nota 10 papritur ka kthyer këmbët nga dielli dhe nuk pi më ujë.
E pra mbrëmë dëgjova Blushin në versionin Robin Hood por nuk dëgjova Blushin në versionin “Çelësi Magjik”. Dëgjova përmbajtjen por jo formulën e zgjidhjes? Atë zgjidhje që Blushi “Robin Hood” na e reklamon si melhem; “Ua marr të pasurve ua jap të varfërve?
Po si? Blushi si shkrimtar politikan kërkon të kurojë por pa diagnozë edhe pse tezat e tij janë për një shoqëri thelbësisht të sëmurë. Po le ta marrim të mirëqenë dëshirën e tij prej Robin Hoodi për të bërë mirë. Po a e dini se i sati Robin Hood është Blushi që del nga Partia Socialiste? I dhjeti, i njezeti…kush i numëron…Atëherë Pse duhet të besojmë edhe një tjetër Robin Hood??? Dhe tjetra çfarë do të bëjmë me Blushin? Do e besojmë apo do e lëmë të na prishë “rehatinë” dhe “mirëqenien sociale” ku ndodhemi…
Po Blushi vetë a do të arrijë që nga një “Robin Hood” që “u vjedh” të pasurve për të ndihmuar të varfërit, të kthehet në një kupid zemrash për një popull që ka humbur besimin te politikani i tij….Apo do mbetet një numër më shumë në radhët e Robin Hoodëve që dolën për tua marrë të pasurve për tua dhënë të varfërve por që përfunduan duke vendosur pasuri mbi idealet e të varfërve…