Kjo është fotoja e viktimës, Besnik Pudja, 36 vjeçarit që u gjet i pajetë në Shëngjergj. Ngjarje të cilën policia e raporton si vetëvrasje, ndërsa prokuroria po e heton si vrasje.
Në këto foto, Besnik Pudja, shihet i shtrirë përtokë, me fytyrën sipër, me duart e vëna pranë xhepave të xhupit. Gishti tregues i dorës së majtë është në formë të harkuar, siç qëndron zakonisht në këmbëzën e një arme.
“Kjo, sipas ekspertëve, tregon se ai ka bërë qitje me dorën e majtë pak çaste përpara se të ndërronte jetë”, shkruan Lapsi.al që publikon fotot.
Pranë tij, mes këmbëve, është gjetur një pistoletë “TT”. Sipas dëshmisë së personave të ndaluar, Alges Liçit dhe Dritan Buzos kjo është arma me të cilën Pudja kreu vetëvrasjen.
Por ka disa detaje që e rrëzojnë versionin e dëshmitarëve Licci e Buzo. Pistoleta u gjet me një fishek në fole. Fisheku ishte kapsollë të goditur, por me plumbin brenda. Kjo do të thotë se ajo nuk ka mundur të bëjë qitje. Por një detaj i rëndësishëm është fakti se edhe pse nuk ka bërë qitje, ajo e ka makanizmin goditës të hapur. Ky menakizëm hapet automatikisht kur pistoleta kryen qitje ose vetëm nëse hapet manualisht.
Nisur nga fakti se fisheku është gjetur i paplasur, përjashtohet mundësia që mekanizmi të jetë hapur automatikisht. Për këtë arsye hetuesit dyshojnë se pistoleta është prekur pas vrasjes së viktimës. Nga hetimet paraprake, prokurorët kanë hedhur dyshime mbi versionin e vetëvrasjes që ka dhënë policia. Por nëse është qëlluar me këtë armë apo jo, pritet përgjigjja e ekspertizës balistike.
Hetuesit thonë se Pudja është qëlluar me pistoletë pas veshit dhe plumbi i ka dalë në sy për të përfunduar më pas në krahun e Alges Liçit, i cili pretendon se ka qenë i shtrirë në krevat kur Pudja është vetëqëlluar. Sipas tyre, trajektorja nuk përkon në asnjë rast. Liçi dhe Buzo janë arrestuar nën akuzën për moskallëzim të krimit, por ata nuk janë përjashtuar nga hetimi si autorë apo bashkëpunëtorë të ngjarjes.
Dy ditë më parë News 24 publikoi investigimin në hangarin e drogës, aty ku u gjet i pajetë Pudja. Ishte një teknologji e mirëfilltë për përpunimin e lëndës narkotike, ngritur në malësinë e Shengjergjit në kufi me Elbasanin, thanë gazetarët që panë nga afër vendin ku mbillej e përpunoj kanabis.