Presidenti Bujar Nishani do të kthejë sot në Kuvend ligjin për mbetjet të miratuar dy javë më parë me votat e maxhorancës.
Burime pranë Presidencës, i thanë se pas konsultimeve që kreu i shtetit pati me Aleancën kundër Importit të Plehrave dhe përfaqësues të Industrisë së Riciklimit, ka vendosur që të mos e dekretojë ligjin, por t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim.
Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili muajin e fundit ka qenë në qendër të debatit politik dhe mediatik, u miratua dy javë më parë me 63 vota të maxhorancës, ndërsa deputetët e PDIU-së nuk morën pjesë në votim. Dekreti i Presidentit Nishani, i cili pritet të kalojë të enjten e ardhshme në Parlament, kërkon 71 vota që të rrëzohet nga shumica për ta lënë në fuqi ligjin. /Panorama