Nga Reldar Dedaj
Tre vitet e para të qeverisjes socialiste çfarë prodhuan? Është një nga pyetjet që çdo shqiptar, me siguri, e bën me vete gjatë përditshmërisë së tij. Ka syresh, të ekzaltuar nga makiazhi brilant i qeverisë, shohin një levizje pozitive të gjërave, kryesisht nga këto radhë mund të jenë ata që jetojnë dhe punojnë jashtë trojeve shqiptare. Ndërsa të këtejmit, e kanë kuptuar se gjërat nuk po ecin ashtu siç edhe u premtuan, shumë zhgënjime, dështime dhe shpresa të kota.
Për një shoqëri si e jona, mungesa e shtetit është një formë që rëndon mbi të dhe që ia çrregullon gjithë sjelljet. Kur asnjë deputetët i mazhorancës, asnjë autoritet i saj, asnjë institucion, asnjë personalitet i majtë, nuk mund të japë prova për një besueshmëri morale, kur njerëzit arrijnë të besojnë se bota është një xhungël ku sundon ligji i më të fortit, dhe ku lejohet çdo goditje, s’ka se si të mos shkohet drejt dhunës, kaosit dhe frikës.
Përkëtej, në fakt, tre vitet e qeverisë Rama mund të konsiderohen një shpartallim i legjitimitetit të saj. Me siguri, njëri prej mësimeve që shqiptarët morën përgjatë kësaj periudhe, është se në kohën e sotme, asnjë çoroditje apo theqafje morale, nuk mund të jetë e shkëputur nga njerëzit, a, e lidhur ngushtësisht vetëm me partinë, dhe kur ajo prek emocionet, perceptimin ndaj vetes dhe jetën e përditshme të popullit, efektet e saj ndjehen në të gjithë ne.
Mund të pyetet pastaj se mos kjo pandjeshmëri ndaj krimit që ka çrregulluar qëndrimet e njerëzve dhe që po i shkakton më në fund mjaft telashe, mos ka dëmtuar edhe sistemin tonë të drejtësisë. Por po e bëjnë, do të thonë e stërthonë, në realitet njerëzit nuk po ja fusin kot, shtrëngimi i thonjëve po ndjehet nën lëkurë. Padyshim, por shumë pak nga ç’duhet. Për këtë dosje shumë të rëndësishme, mund të thonim, se çështja nuk qëndron tek mbulimi i gjërave me heshtje, por tek aftësia e zgjidhjes së problemit që s’mbaron kurrë, që u helmon jetën, dhe që i jep dorë çoroditjes së njerëzve.
Këtu kemi një gjendje të rëndë, përfshirja e së cilës shkon përtej botës së krimit apo të politikës. Sepse atëherë duke parë se ç’ndodh, gjithkush ka të drejtë të pyesë se pse duhet ndjekur ende një punë e ndershme, pse një i ri të duhet të bëhet profesor, mjek apo marangoz, kur më mirë bëhet trafikant, dhe në një mjedis të tillë moral si t’ia bësh që të përcillesh dijet, idealet dhe si të mbash në këmbë një minimum indi shoqëror që të mund të mbijetojnë ato gjëra aq thelbësore dhe të brishta që e kanë emrin liri dhe demokraci.
Duam shumë të besojmë se ky hov mund të jetë i përballueshëm, por nuk mund t’i kapërcejmë aq lehtë shqetësimet kur e kalojmë vështrimin mbi shtëpinë tonë, një vend i karakterizuar prej një mungese të theksuar morali, guximi dhe dinjiteti. Një vend ku horrllëku po bën ligjin, ku paraja ka zënë shpirtin, ku besueshmëria morale mbetet një plaçkë e rrallë, një vend ku krizat e mëdha politike i shtyjnë njerëzit të mbrojnë me çdo çmim interesat e tyre, në vend që të japin prova solidarsie, zgjuarsie dhe guximi./Opinion.al/