E mbani mend Ivan Klasniç? Sulmuesi kroat ka luajtur me sukses në Bundesligën gjermane, kampionatin francez dhe atë anglez, para se të mbyllte karrierën në pranverën e vitit 2013, kur luante te Mainci. Tërheqja nuk erdhi për shkak të formës sportive, sepse sulmuesi kishte një rendiment të shkëlqyer, por një sëmundje e rëndë në veshka e detyroi të ndalej, në moshën 33-vjeçare.
Tani Klasniç ka 3 vjet që lufton për të mbijetuar, sepse trupi i tij ka nevojë për një veshkë dhe këto ditë është detyruar të shtrohet sërish me urgjencë në spital, edhe pse dy herë më parë është operuar, duke marrë veshkë nga të afërmit te tij. Ishte fillimisht i ati që ia dhuroi organin, por veshka nuk funksionoi plotësisht në trupin e tij, ashtu si edhe organi i dhuruar nga vëllai i tij pak kohë më vonë. “Po i përjetoj këto momente sikur të ishin të fundit në jetën time sepse jeta është përherë e varur në fije të perit, shprehet ish-sulmuesi kroat në një intervistë për “Bild”. Aktualisht, 36-vjeçari është në pritje të një organi që mund të vijë nga një person që ka humbur jetën. “Jetoj në Hamburg me familjen dhe miqtë por e keqja është se mund të jem i regjistruar në listën e përfituesve vetëm në një shtet dhe në Kroaci mund të isha në listën e pritjes vetëm nëse do të zhvendosesha aty. Është një vendim shumë i vështirë por unë kam vendosur të qëndroj këtu në Gjermani”, thekson ai.
Aktualisht, ish sulmuesi i nënshtrohet dializës 3 herë në javë dhe do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën rutinë deri në gjetjen e një veshke që mund ta mbajë në jetë.