Kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar t’i përgjigjet një komentuesi në faqen e tij në facebook, në lidhje me temat më te nxehta të javës, mes tyre dhe ligji për importin e plehrave në Shqipëri.
Kësaj radhe, në media, është publikuar një replikë që kryeministri Rama ka bërë me një aktore shqiptare, Anxhela Çikapano.
Çikapano ka komentuar në statusin e kryeministrit në facebook për importin e mbetjeve në vendin tonë.
Ajo mes të tjerash, i ka shprehur revoltën e saj Edi Ramës se për çfarë arsye qeveria nuk ka reaguar prej tre vitesh që është në qeveri, në lidhje me problemet që shqetësojnë qytetarët e ndryshëm të këtij vendi.
Aktorja Çikapano, i thotë kryeministrit Rama, se vota që kam dhënë për Rilindjen është gabimi më i madh i jetës.
“Unë nuk kam frikë zoti Rama dhe fatkeqësisht nuk gënjehem lehtë. Unë di, shikoj, lexoj, analizoj, gjykoj, sot me mendje më të kthjellët se kurrë dhe nëse ka një gjë në jetë që nuk do t’ia fal vetes është vota për Rilindjen. E kuptoj përgjigjen tuaj gjaknxehtë (paçka se mjaft shabllon) se ju shoh gabimet drejtshkrimore pa fund. Ju nuk respektoni as gjuhën e mëmës, le pastaj të tjerat. Sa për industri e për ekonomi edhe Sali katili, që sa herë e mori, i vuri zjarr më keq se turku, nuk e çoi vendin në këtë mjerim që e çuat ju, në një kohë kaq të shkurtër. Nëse plani juaj ka qenë ta zbrazni Shqipërinë e ta shisni pa kokëçarje, duheni lëvduar se ia keni dalë mbanë më së miri: merita juaj më e madhe në këto 3 vjet, duhet ta pranojmë këtë! Me këto mesazhet kopjo+ngjit mund t’i mbushni mendjen vetes (fenomen i njohur kur përpiqesh të mbash mend gënjeshtrat që thua) dhe nëse ju gënjen mendja se jeni më i zgjuari në një shtet plot me gomerë, sot e morët përgjigjen nga mbarë Shqipëria. Njeriu hyn me vështirësi në histori si baba kombi, por fare lehtë si tradhtar i tij!”, shkruan ajo në profilin e kryeministrit Rama në facebook.