Presidenti Nishani ka mbajtur ditën e sotme një fjalë në Sesionin e 71-të të Asamblesë se OKB-së.
Nishani ka folur për sfidat e terrorizmit global edhe për kontributin e Shqipërisë në luftën ndaj tij.
Gjithashtu, Presidenti ka folur edhe për Kosovën, përparimet që ajo ka bërë dhe domosdoshmërinë e njohjes së saj.
Fjala e Presidentit Bujar Nishani
Është një kënaqësi e veçantë që, në cilësinë e Kreut të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, t’i drejtohem Sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Dëshiroj së pari të përshëndes zgjedhjen e Presidentit e Asamblesë së Përgjithshme, zotit Peter Thomson, si dhe t’i uroj atij shumë suksese në përmbushjen e agjendës dhe angazhimeve shumë ambicioze.
Përtej nderit dhe privilegjit për t’iu adresuar për herë të dytë kësaj Asambleje shumë të nderuar të Kombeve të Bashkuara, kam edhe ndjenjën e veçantë të përgjegjësisë për të dhënë një kontribut modest, veçanërisht në këto momente zhvillimesh të rëndësishme rajonale e globale, e ku vëmendja jonë është përqendruar në garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm.
Gjithashtu dëshiroj të shpreh edhe mirënjohjen e thellë për vizionin, rolin dhe kontributin e qenësishëm, që Sekretari i Përgjithshëm ka dhënë në krye të Kombeve të Bashkuara, duke orientuar vëmendjen tonë në çështje sa thelbësore të lidhura me vlerat dhe dinjitetin njerëzor e deri tek çështjet e lidhura me paqen e sigurinë në planetin tonë të përbashkët.
Zoti President,
Shqipëria këtë vit kremtoi 61-vjetorin e anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara dhe me kënaqësi legjitime dëshiroj të theksoj se vendi im u mbetet besnike parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe kontribuon maksimalisht e me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për paqen dhe sigurinë, si dhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut.
Përfitoj nga rasti t’ju siguroj se vendi im e ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet bota sot dhe mbështet të gjitha përpjekjet e përbashkëta për përballimin e tyre, me bindjen e palëkundur se parandalimi i konflikteve dhe sigurimi i paqes e sigurisë globale, ku në qendër është vëmendja për njerëzit dhe shoqërinë njerëzore, kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë.
Ndaj këtyre sfidave, Shqipëria është gjithëpërfshirëse nëpërmjet angazhimeve të mundshme në parandalimin e krizave; angazhimit, sipas mundësive, në ndihmën humanitare; kontributin e saj në stabilitetin dhe sigurinë rajonale; zhvillimin e qëndrueshëm; ratifikimin e marrëveshjes së klimës dhe depozitimin e instrumenteve të ratifikimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm; zbatimin e të gjitha angazhimeve të saj në fushën e sigurisë dhe një kontribut te vlerësuar në planin rajonal dhe ndërkombëtar; luajtjen e një roli proaktiv në platformat ndërkombëtare për avancimin e të drejtave të njeriut.
Gjithashtu, Shqipëria e sheh zbatimin e Agjendës 2030 si një platformë ndërkombëtare për forcimin e lidhjes që ekziston ndërmjet zhvillimit dhe sigurisë, duke besuar se kjo agjendë do të jetë udhërrëfyesi i veprimit tonë për zhvillimin e qëndrueshëm në 15 vitet e ardhshme për njerëzit, planetin, paqen, partneritetin dhe begatinë.
Shqipëria është një vend pilot në hartimin e indikatorëve globalë për zbatimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm 16 (OZHQ) për paqen, drejtësinë dhe institucionet e forta. Objektivat e kësaj agjende janë bërë pjesë integruese e programeve dhe strategjive sektoriale të institucioneve shqiptare dhe të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), duke i nxitur institucionet shqiptare të hartojnë programe të reja e ambicioze në të gjitha fushat e zhvillimit, dhe bërë vendin pjesë të standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.
Përfitoj nga rasti të bëj të ditur se, Shqipëria është e vendosur për të qenë aktive në Konferencën e Tretë të OKB-së për Strehimin dhe Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm (HABITAT III), e cila ofron një mundësi unike për miratimin e një Agjende globale të re Urbane, që forcon marrëdhëniet dhe sinergjitë ndërmjet urbanizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndryshimeve klimaterike.
Zoti President,
Agjenda 2030 dhe arritja e marrëveshjes së Parisit me shumë të drejtë konsiderohen si mundësitë e kësaj gjenerate për një jetë më të mirë si për brezat e tanishëm ashtu edhe për brezat e së ardhmes. Zbatimi i këtyre dy dokumenteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është proaktive, konsiderohen me të drejtë si strategjitë kryesore globale për përballimin e ndryshimeve klimaterike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, ndihmën ndërkombëtare dhe çështjet e ndërtimit të paqes.
Marrëveshja e nënshkruar nga 187 vende në Konferencën e Palëve COP21 në Paris, shënoi një moment historik në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t’u përballur me sukses me ndryshimet klimaterike.
Shqipëria ishte ndër vendet që e ratifikuan në një kohë të shkurtër Marrëveshjen e Parisit, me synimin e vetëm që të kontribuojë në përshpejtimin e hyrjes së saj në fuqi dhe bërjes së saj aktive sa më shpejt.
Prandaj dhe para dy ditësh pata kënaqësinë që të depozitoj instrumentet e ratifikimit të Shqipërisë për Marrëveshjen e Parisit, duke shprehur angazhimin konkret të vendit tim për të ardhmen e planetit tonë të përbashkët, si dhe riafirmuar vendosmërinë ndaj këtij angazhimi madhor. Në këtë kuadër, Shqipëria është angazhuar që deri në vitin 2030 të reduktojë me 11,5% emetimin e gazit me efekt serë.
Zoti President,
Në muajin maj të këtij viti, kam marrë pjesë dhe kam përshëndetur Samitin e parë Humanitar Botëror të organizuar nën kujdesin e veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm, në Stamboll, duke theksuar në mënyrë të veçantë mbështetjen e Shqipërisë për Agjendën për Njerëzimin dhe vizionin se a shift from perpetual crisis management toëard effectively managing prevention and early action is urgently needed. Jam i bindur se kjo agjendë do të na ndihmojë nga iniciativa në veprime konkrete në të mirë të njerëzimit dhe të brezave që do të vijnë më pas.
Shqipëria u angazhua në Samitin e Stambollit për të adresuar përkeqësimin e disa situatave humanitare në mbarë botën dhe u bashkua me politikat e Kombeve të Bashkuara për reagim dhe ndihmë humanitare.
Shqipëria u bashkohet përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të përballuar flukset migratore dhe ato të refugjatëve në mënyrë konsistente dhe të koordinuar. Sot, realiteti, në teren dhe në nivelin e politikave, po na shtyn për të ndryshuar qasjen tonë në nivel rajonal dhe më gjerë, në mënyrë që të ndërmarrin hapa cilësore përpara, në punën tonë dhe qasjen mbi migracionin dhe bashkëpunim.
Para disa ditësh, Shqipëria organizoi një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi sfidat e zyrave të Avokatit të Popullit, në lidhje me flukset migratore. Një prej rezultateve të kësaj konference ishte miratimi i Deklaratës së Tiranës, e cila tashmë i është përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Bazuar në vlerat e humanizmit, Deklarata e Tiranës synon të hapë rrugën për një qasje të re në kontekstin e flukseve migratore, atë të respektit dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga vendi i origjinës apo statusi individual.
Si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hapjes së negociatave të aderimit, Shqipëria i është bashkuar të gjitha qëndrimeve dhe angazhimeve të Bashkimit Evropian, sa herë është kërkuar dhe ka qenë e nevojshme. Edhe në kuadër të Agjendës për Njerëzimin, Shqipëria i është bashkuar qëndrimeve të BE-së dhe do të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në përmbushjen e këtyre angazhimeve.
Përfitoj nga rasti të komplimentoj edhe njëherë Sekretarin e Përgjithshëm për raportin e publikuar në fillim të këtij viti: One Humanity – Shared Responsability (Një njerëzim – Përgjegjësi të Përbashkëta), si dhe të rikonfirmoj mbështetjen e vendit tim për parimet bazë të këtij raporti, i cili na ka ofruar një pasqyrë të plotë të realitetit të hidhur të shoqërisë njerëzore, situatës humanitare dhe të drejtave të njeriut në botë.
Zoti President,
Një sfidë tjetër fondamentale për vlerat e përbashkëta të shoqërisë njerëzore është lufta ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Pak ditë më parë, qytetarët e Nju Jorkut, e qytetit ku ne jemi mbledhur, por dhe të gjithë qytetarët amerikanë, përkujtuan me dhimbje viktimat e shkaktuara 15 vjet më parë nga terrorizmi. Sulmet terroriste, veçanërisht ato me prapavijë fetare, në vitet e fundit janë intensifikuar shumë, duke goditur me egërsi dhe barbari qytetet kryesore të Francës, Belgjikës, Turqisë, Kuvajtit, Egjiptit, Tunizisë, Libanit e shumë vendeve të tjera anë e mbanë botës, me synim që të frikësojnë e gjunjëzojnë shoqëritë tona.
Në këtë kontekst, Shqipëria vlerëson rolin e patjetërsueshëm të OKB-së në luftën globale kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke e konsideruar Organizatën një aktor kyç. Gjithashtu, Shqipëria mbështet Planin e Veprimit të Sekretarit të Përgjithshëm për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, si dhe rolin aktiv të OKB-së për gjetjen e zgjidhjeve politike dhe adresimin e rrënjëve të konflikteve në zonat e prekura prej tyre.
Shqipëria riafirmon mbështetjen për rezolutat e Këshillit të Sigurimit 2170; 2178; 2253, të cilat kërkojnë nga shtetet marrjen e masave të nevojshme për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe të adresimit të çështjes së të ashtuquajturve “luftëtarëve të huaj” dhe financimit të terrorizmit ndërkombëtar.
Vendi im do të vijojë me vendosmëri të jetë e angazhuar dhe kontribuojë edhe në nivel rajonal për të adresuar dhe dhënë përgjigje ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomenit të “luftëtarëve të huaj”, si dhe për promovimin e ideve dhe programeve të cilat nxisin respektin dhe bashkëjetesën ndërfetare.
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që iu bashkua Koalicionit Global kundër ISIS/Daesh dhe ka kontribuar deri tani me 5 paketa me pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura Peshmerga në Irak. Sot ajo renditet krah vendeve proaktive të angazhuara për zbatimin në tërësi të Strategjisë Globale Kundër Terrorizmit.
Nisur nga eksperienca shumë shekullore e bashkëjetesës paqësore e harmonike fetare por edhe nevoja për adresimin e kësaj sfide brenda vendit, Shqipëria po aplikon një program pilot për parandalimin dhe kundërvënien ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit, me ambicien për ta kthyer këtë program në një platformë me dimension më të të gjerë se ai nacional. Shqipëria është e gatshme ta ndajë eksperiencën e saj edhe me vendet dhe popujt e tjerë.
Besojmë se, përmes programeve të veçanta të edukimit dhe ruajtjes së kohezionit social mund t’i kundërvihemi në mënyrë efikase radikalizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit.
Gjithashtu, Shqipëria ka miratuar një kuadër ligjor të posaçëm për trajtimin e fenomeneve të tilla me masa më të forta; ka miratuar Strategjinë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm (nëntor 2015); si dhe ka ngritur Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Çështjet e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm (Countering Violent Extermism) (që nga 1 gusht 2016).
Shqipëria është solidare dhe do të kontribuojë me sa mundet për parandalimin dhe dhënien fund të konflikteve dhe të vuajtjeve të shoqërisë njerëzore, si në rajonin ku bën pjesë ashtu edhe në nivel global.
Zoti President,
Me politikat e ndjekura gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria është shndërruar gjithnjë e më shumë në një kontribuues aktiv në çështjet e sigurisë në arenën ndërkombëtare.
Këtë rol vendi im e ka siguruar dhe po e forcon nëpërmjet anëtarësisë pro-aktive në NATO, mbështetjes së qartë dhe angazhimit konkret në zbatim të politikës së përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, mbështetjes dhe pjesëmarrjes në operacionet e OKB-së, misionet e asistencës këshilluese policore në Afganistan dhe Sudan, misionet e OSBE, forcimit të partneritetit strategjik me SHBA dhe BE, si dhe nëpërmjet angazhimit serioz në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të paqes dhe sigurisë në botë.
Duke filluar nga shtatori i vitit 1996 deri më sot, Shqipëria ka kontribuar me 6528 trupa ne operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
Shqipëria beson se procesi i paqes në Lindjen e Mesme arrihet nëpërmjet bisedimeve dhe se palët duhet të përfitojnë nga energjitë dhe vëmendja që aktorët e komunitetit ndërkombëtar po i kushtojnë zgjidhjes përfundimtare dhe të qëndrueshme kësaj çështje.
Gjithashtu, Shqipëria konfirmon mbështetjen për përpjekjet e OKB-së për lehtësimin e një procesi paqeje në Siri, si dhe përshëndeti angazhimet për të vendosur paqen në Siri, për të hapur dhe siguruar rrugët e ndihmës humanitare si dhe për të luftuar me vendosmëri Daesh and Al Nusran që veprojnë në këtë vend. Por zhvillimet e ditëve dhe orëve të fundit janë shumë shqetësuese. Goditja dhe ndërprerja e dërgimit të ndihmave humanitare për popullsinë civile, minon përpjekjet e deritanishme për arritjen e armëpushimit dhe për t’i dhënë fund dhunës.
Me shqetësim, Shqipëria ka ndjekur testet më të fundit bërthamore në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, duke dënuar ato dhe duke i cilësuar si akte provokues e në shkelje të hapur e sistematike të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këto akte cenojnë paqen dhe sigurinë në Azinë Verilindore dhe në mbarë botën, ndaj dhe Shqipëria kërkon nga ky vend respektimin dhe zbatimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara.
Zoti President,
Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Politika jonë e jashtme është maksimalisht e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe integrimin e tij të plotë në proceset euroatlantike.
Angazhimi energjik i Shqipërisë në këtë kuadër, si dhe roli i saj aktiv e konstruktiv në të gjitha nismat rajonale, i kanë shërbyer fuqizimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe njerëzor mes të gjitha vendeve partnere në rajon në drejtim të krijimit të një agjende ndërveprimi midis tyre, BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse e rrugës së përbashkët të vendeve te rajonit drejt anëtarësimit në BE.
Bazuar në këtë parim themelor të pjesëmarrjes aktive dhe të kontributit të të gjithë vendeve të rajonit në procesin e bashkëpunimit rajonal, Shqipëria mbështet pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet shumëpalëshe rajonale dhe ndërkombëtare.
Kosova ka shënuar arritje të jashtëzakonshme në konsolidimin e institucioneve të veta demokratike, mirëqeverisjen, bashkëjetesën multietnike e ndërfetare dhe veçanërisht përparimin në proceset euro-atlantike. Pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Ajo ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin dypalësh me Serbinë, për zgjidhjen e problemeve praktike dhe krijimin e një klime mirëbesimi për bashkëpunimin rajonal.
Në këtë frymë, kemi mbështetur dhe vijojmë të inkurajojmë pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E konsiderojmë një platformë mjaft të përshtatshme, ku të sheshohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, në mënyrë që të shikohet nga e ardhmja.
Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, rolin aktiv qe ajo luan si anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizatat rajonale, si dhe procesin e pandalshëm të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Këto do t’i shërbejnë politikave gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, kontributit që Kosova do të japë në politikat globale, por edhe forcimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit nëe rajonin e Ballkanit.
Sot, Kosova njihet nga 109 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe jam i bindur se shumë shpejt edhe vende të tjera të Organizatës do ta njohin, duke kontribuar për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore e më gjerë.
Zoti President,
Shqipëria është tërësisht e angazhuar në procesin e integrimit evropian, duke e konsideruar perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si një nxitës të pazëvendësueshëm për kryerjen e reformave të thella në dobi të arritjes së standardeve më të mira të shtetit ligjor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Marrja e statusit të Vendit Kandidat dhe pritshmëria për hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union, janë njohje të arritjeve të Shqipërisë në realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e standardeve të kërkuara.
Bashkimi Evropian po kalon sfida të forta, veçanërisht pas Brexit, por Shqipëria është e vendosur për të vijuar me rrugën e reformave, duke e konsideruar integrimin evropian si objektivin më madhor të saj dhe alternativën e vetme e më të mirën.
Në kuadrin e reformave të brendshme, një prej reformave më madhore ka qenë dhe mbetet reforma në drejtësi, e cila jo vetëm që përbën një bazë solide për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, por përmirëson standardet e funksionimit të shtetit ligjor dhe garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social.
Zoti President,
Në mbyllje, dëshiroj që të konfirmoj edhe njëherë vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen e agjendës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për Agjendën 2030 dhe të gjitha përpjekjet për një Zhvillim të Qëndrueshëm të planetit tonë, si dhe të vijojë të kontribuojë aktivisht për forcimin e mëtejshëm të rolit të Organizatës në rrafsh global.