Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, Nikollaq Neranxi ka reaguar në lidhje me propozimin e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, i cili u shpreh sot për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe prostitucionit.
Sipas shoqatës që kryesohet nga Neranxi, biznesi i ndershëm e ka përcjellë me shqetësim deklaratën e Jakës.
DEKLARATA
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, shpreh shqetësimin e thellë për deklaratat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë me Kryetar Z. Nikolin Jaka, dhënë sot në një konferencë për shtyp. Dhoma e Tregtisë duhet të jetë zëri i shqetësimeve dhe i interesave të sipërmarrjes së lirë në vend, ndërsa ajo prej kohësh, po bën krejt të kundërtën e asaj për të cilën është krijuar.
Jaka deklaroi se është dakord që në Shqipëri të vijnë plehrat e botës për tu përpunuar dhe se është pro legalizimit të hashashit dhe shtëpive publike. Të gjithë që e kanë dëgjuar, mendojnë se ai po hedh propozime për të cilat sipërmarrësit shqiptarë bien dakord, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Shoqata e Tregtarëve distancohet nga këto propozime të zotit Jaka, i cili po e përdor Dhomën e Tregtisë, vetëm për interesa personale dhe klienteliste. Duke qenë i kapur nga njerëz të veshur me pushtet, ai nuk është gjë tjetër, vecse një vegël në duart e tyre dhe si e tillë, është i detyruar të dalë të thotë publikisht, vetëm ato që i interesojnë pushtetit.
Asnjë sipërmarrësi të ndershëm, nuk i intereson që Shqipëria të mbushet me plehra. Asnjë sipërmarrësi të ndershëm nuk i intereson që të legalizohet hashashi, qoftë edhe për qëllime farmaceutike. Ska gjë me cinike se sa të hedhësh idenë e legalizimit të hashashit, pikërisht tani që Shqipëria është e gjitha e mbushur me hashash.
Dhe e treta më skandalozja, Jaka artikulon pikërisht në këto momente kritike për vendin ku është në pikëpyetja mbijetesa, nevojën e shtëpive publike! Jaka, njeriu që përfiton vazhdimisht fonde publike, po bën një krim duke dalë të flasë në emër të biznesmenëve shqiptarë dhe duke u shpallur promotori i mbushjes së këtij vendi me pislliqe, drogë dhe prostituta. Nuk mund të pranojmë që Dhoma e Tregtisë të dalë e të japë ide të tille për një vend i cili para së gjithash ka probleme serioze me varfërinë.
Nuk u artikulua asnjëherë nga kjo Dhomë, një strategji se si mund të dalim nga kjo krizë, nuk na u bashkangjit asnjëherë në protestat tona si sipërmarrës, kundër taksave të larta dhe politikave fiskale biznesshkatërruese, nuk na u bashkua asnjëherë në betejat tona ligjore kundër supeegjobave që shkatërronin biznesin dhe tani del e na thotë, sillni plehrat në Shqipëri! I bëjmë thirrje cdo Shoqate biznesi dhe cdo sipërmarrësi të ndershëm në këtë vend, që të distancohet nga deklaratat e turpshme te Nikolin Jakës dhe të reagojnë publikisht kundër tyre!