Rahim Etemi vëzhgues nga radhët e PDsë në qendrën 11/00 në Maqellarë akuzon kryetaren e këshillit bashkiak të Dibrës, Lule Dani, se ka ushtruar presion duke detyruar një të moshuar të votojë për kandidatin e Partisë Socialiste.
Teksa gazetari i “News 24” në Dibër, Enver Doçi, ka tentuar të marrë një deklaratë të palës tjetër lidhur me këto akuza të ngritura nga PD, ai është shtyrë dhe i është kërkuar të largohet nga komisionerë dhe militantë të PS.
Por pavarësisht presioneve për të mos xhiruar me kamera, gazetari Enver Doçi ka arritur të marrë edhe reagimin e kryetares së këshillit bashkiak Lule Dani, e cila pranon se ka shoqëruar të moshuarën drejt kutisë së votimit, por këtë sipas saj e ka bërë për ta ndihmuar pasi e moshuara nuk dinte të votonte.
Gazetari i “News 24” ka insistuar edhe më tej duke marrë prononcimin e vetë të moshuarës Zelie Gjoni, e cila deklaron se është paguar në shumën 20 mijë lekë të vjetra për të votuar për kandidatin e majtë.